Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, doli sot përpara gjykatës për akuzën e re ndaj tij dhe tre personave të tjerë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Thaçi nuk foli për aktakuzën, duke deklaruar se ende nuk e ka lexuar dhe se do të përgjigjet brenda afatit të parashikuar nga ligji.
“Krejt papritmas, para 2-3 ditësh, u njoftova për akuzën e re nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. E di se Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. Por, unë nuk jam pjesë e garës elektorale, unë nuk paraqes rrezik për askënd. Prandaj, kërkoj edhe sot: unë respektoj dhe besoj në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Nga të gjithë, kudo që jeni ulur, në cilëndo anë apo në çdo uniformë që jeni në këtë sallë, kërkoj të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës,” tha Hashim Thaçi.
Në aktakuzën e re ndaj tij, ish-presidenti i Kosovës dhe katër persona të tjerë akuzohen për ndikim të paligjshëm ndaj dëshmitarëve.
Thaçi dyshohet se është takuar me katër të akuzuarit e tjerë, ish-ministrin e Drejtësisë Hajredin Kuçi, ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë Bashkim Smakaj, ish-kryetarin e Malishevës Isni Kilaj dhe Fadil Fazliun, në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Pretendohet se Thaçi u ka dhënë udhëzime për mënyrën se si të përgjigjen dëshmitarët në një rast tjetër kundër tij, lidhur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.