Këngëtari Çlirim Denaj ka treguar vështirësitë në fillimt e tij të karrierës, ku nuk kanë munguar as përplasjet me drejtues institucionesh.
Ai ka rrëfyer në emisionin “Quo Vadis” në Vizion Plus, se drejtori i atëhershëm i RTSH e ka akuzuar se këndon si jugosllav, teksa tregoi edhe si e kundërshtoi.
Pjesë nga biseda:
Pranvera Borakaj: Ishe i tensionuar?
Çlirim Denaj: Shumë i tensionuar. Më dridheshin këmbët, duart se e kuptova për ça erdhi dhe më kërkoi mua. Ato fjalët që tha ai, më kanë thënë fjalë të mira, ato ishin të kundërta.
Pranvera Borakaj: Dhe pati një akuzë të rëndë për ju në atë kohë?
Çlirim Denaj: Po, pati një akuzë. Më thanë ti këndon si jugosllav.
Po unë nuk ia përtoja, e kisha gjuhën shumë të gjatë në këtë drejtim, nuk mendoja se ishte drejtori, se ishte ministri, se ishte Ramiz Alia. Po ta mendoja, e thoja. Se më ka ndodhur edhe në raste të tjera me qeveritarë që i kam kthyer fjalën, për probleme të tjera. Dhe i thëm, i afrohem në tavolinë dhe i them: Dëgjo shoku drejtor, unë punoj në një institucion ushtarak dhe këndoj vetëm marshe, jam nga Labëria, s’kam të bëj fare nga ajo krahinë e Shkodrës. Jam familje dëshmori, familje komunistësh mbi të gjitha, mami dhe babi të dy sekretarë partie dhe unë që tani do shkoj në komitet të partisë të ankohem sepse kjo fjalë rëndon kaq shumë sa edhe për burg mund të jetë. “Prit mor djalë prit, se qenke the nevrik”, më tha. Por unë jam drejtor, nuk jam muzikant, këtu ka specialistë që mund ta gjykojnë këngën më mirë se unë, këndoje dhe njëherë këngën.” Vete te mikrofoni për ta rikënduar këngën me emocione akoma më të mëdha, e këndoj këngën, prapë duartrokitje. Kthehem të ulem dhe më thotë të mos ulem. Nuk është faji yt më tha, fajin e ka kënga. Kënga ka motive kosovare, kjo këngë duhet të hiqet. /vizionplus.tv