Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila do të kandidojë në zgjedhjet e 11 majit në listë të hapur për Qarkun e Tiranës shprehet besimplotë tek vota e qytetarëve.
Në edicionin qendror të lajmeve të orës 19:00 në Vizion Plus me Aleksandër Furxhi, Tabaku tha se gara nuk është e paarritshme dhe beson se do të jetë një nga kandidatet më të votuara.
Tabaku tregoi fushat kryesore ku do të fokusohet në betejën elektorale, ku ndër të tjera përmendi luftën ndaj korrupsionit, denoncimet, ekspozimin e aferave socialiste, betejën për taksat, ekonominë, qoftë për pensionistët, qoftë për të punësuarit.
Sa i përket deklaratave të deputetes 3 vite më parë ndaj kryetarit të PD-së, Sali Berishës, Tabaku tha se nuk do të kenë asnjë ndikim në fushatën e saj elektorale.
Intervista e plotë:
Shumë komente në sferën publike theksojnë se mundësitë për të hyrë në parlament përmes listës së hapur të ASHM janë shumë të pakta, ju si e shihni këtë garë?
Tabaku: Kjo është një garë që unë do ta fitoj lehtë, për faktin që jam deputete e qytetit të Tiranës prej kohësh, e njoh mirë zonën e këtij qyteti, e njoh dinamikën. Nuk është e paarritshme.
Në 8 janar 2022 keni thënë se është dita e fundit e Sali Berishës në politikë? Ndikon kjo ngjarje në raport me shefin tuaj, kryetarin e partisë në fushatën tuaj?
Tabaku: Besoj se jo, jam treguar shumë e kujdesshme. Diskutimet që kam pasur me të, e kuptoj që çdo gjë është pjesë e së shkuarës. Pastaj ka pasur edhe persona që kanë bërë deklarata më të rënda.
Po të bëjmë një krahasim të zgjedhjeve të ardhshme me ato të 2021, vetëm 4 deputetë i bie të dalin përtej listës së mbyllur, si mund të quhet e lehtë një garë e tillë?
Tabaku: Duke pasur parasysh që jam një deputete që e njoh shumë mirë qytetin, besoj se do të jem një nga këto 4 deputetë.
Deklarata e bërë tre vite më parë, që unë e përmenda pak më parë, ka qenë në kohën kur ju keni qenë duke drejtuar komisionin për hetimin e inceneratorëve, që më shumë i drejtohet Tabakut si një sukses. Me çfarë theksesh të tjera do të vini ju në këtë fushatë?
Tabaku: Në këto 3 vite me sfida shumë të vështira, unë e kam pasur fokusin në opozitarizmin dhe në betejën me kundërshtarin. Sot është para drejtësisë një zinxhir i gjatë zyrtarësh që janë përgjegjës për inceneratorët. Tre fushat kryesore ku unë do të fokusohem në betejën time elektorale janë lufta ndaj korrupsionit, denoncimet, ekspozimi i aferave socialiste, beteja për taksat, ekonominë dhe beteja për ekonominë e përditshme për xhepin e qytetarëve, qoftë pensionistë, qoftë të punësuar.
/vizionplus.tv