Vapa e gushtit shtoi konsumin duke rritur importet e energjisë elektrike. Muajin e shkuar Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka blerë nga vendet e tjera mbi 210 mijë megavat-orë energji elektrike me vlerë gati 28 milionë euro.
Çmimi mesatar për një megavat-orë përllogaritet në rreth 132 euro.
Për shkak të kërkesës së lartë që shumë vende europiane po kanë, të dhënat nga bursa hungareze HUPX tregojnë se ndonëse me luhatje çmimi i energjisë elektrike mbeti i lartë në gusht, për t’u ulur këtë fillim-shtator.
Kjo për shkak të mungesës së reshjeve, kombinuar me nevojën e shtuar nga turizmi. Nga të gjitha burimet gjeneruese në vend, në periudhën janar-qershor u prodhuan rreth 4,3 milionë MWh nga rreth 5 milionë MWh në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu rënie.
Nga ana tjetër, në 6 muaj u konsumuan një sasi prej gati 4 milionë MWh, shifër kjo e ngjashme me janar-qershorin e një viti më parë.
Përballë një thatësire dhe vijimit të temperaturave të larta KESH vijon të importojë energji për të plotësuar nevojat në vend. Ndërkohë, Shqipëria do të ketë një central të ruajtjes së energjisë elektrike. Projekti me vlerë 120 milionë që do të zhvillohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është parashikuar në dokumentin e politikave parësore 2025-2027.
Pavarësisht llojit të burimit, nëse vjen nga uji, dielli apo era, energjia elektrike që do të rezultojë si tepri në periudhë bollëku do të ruhet “për ditë të vështira”. Kështu, veçanërisht gjatë periudhave me reshje, energjia do të ruhet në këtë central për t’u përdorur kur vendi të ketë nevoja.