Zbardhet sherri në Vlorë: Pronarët e ‘skuterave’ me qera bënë për spital dy policë! Shkak gjoba ndaj…

2 months ago 30
Reklamë

Policia e Vlorës ka zbardhur shkakun e sherrit me grushte mes policëve dhe qytetarëve në Vlorë mbrëmë.

Në një njoftim zyrtar, policia bën me dije se sherri ndodhi për shkak të monopatinave që lëvizin në kundravajtje dhe që u ndaluan nga policia.

Dy vëllezër, të cilët jepnin monopatina me qira, dhunuan fizikisht policët duke u shkaktuar fraktura 2 prej tyre. Dy vëllezërit janë arrestuar, ndërsa persona të tjerë të përfshirë në sherrin masiv janë arrestuar.

Njoftimi i Policisë së Vlorës:

Mbrëmjen e djeshme në Lungomare, punonjësit e qarkullimit rrugor të planizuar në këtë aks, gjatë kontrolleve të ushtruara për përdorimin e kaskave tek motorët elektrikë dhe monopatinat, kanë konstatuar shtetasin D. J., në kundravajtje, të cilin e kanë ndaluar. Gjatë komunikimit të kundravajtjes dhe masës administrative, janë afruar dy pronarët e subjektit ku shtetasi D. J. kishte marrë motorin elektrik me qera, konkretisht shtetasit R. P. dhe K. P., të cilët së bashku me shtetas të tjerë kanë debatuar verbalisht me punonjësit duke i kundërshtuar e më pas i kanë goditur me grushta. Si pasojë e konfliktit, dy punonjës policie aktualisht ndodhen në spitalin e Vlorës, pasi kanë pësuar fraktura, jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të veprimeve proceduriale, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Vlorë, oficeri i Prokurorisë ka bërë ndalimin e dy shtetasve R. P., 29 vjeç dhe K. P., 23 vjeç, (vëllezër), të cilët goditën punonjësit e Policisë gjatë detyrës.

2 shtetasit e arrestuar, pronarë të subjektit për dhënien me qera të mjeteve elektrike, gjithashtu kanë rezultuar se e ushtronin këtë aktivitet pa licensë, duke zaptuar hapësirën publike.

Po në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim dhe vijon puna për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë konflikt.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Vlorës u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë ligjin dhe t’i përgjigjen urdhrave të punonjësve të Policisë për të shmangur incidente të tilla të papranueshme. Bashkëpunimi me Policinë është thelbësor për të garantuar sigurinë dhe rendin publik në qytet.

/a.r

Read Entire Article