Zgjedhjet e trajnerit kuqezi, Sylvinho jep garanci: Bare dhe Muçi pjesë e projektit

2 months ago 39

24 futbollistë të grumbulluar, një rikthim, ai i Myrto Uzunit dhe dy garanci, rreth Keidi Bares dhe Ernest Muçit, që mbeten pjesë e projektit edhe pse për momentin nuk janë pjesë e Kombëtares.

Pas Euro 2024, trajneri Sylvinho doli në konferencën për shtyp, për të argumentuar zgjedhjet për Ligën e Kombeve.

“Broja është jashtë ekipit, nuk është më në listë. E pritëm deri në fund, por pasi biseduam me stafin e Evertonit, dëmtimi ia bën të pamundur të vijë në Kombëtare. Për këtë arsye rikthyem Uzunin, është momenti i tij. Te ne vjen si anësor sulmi, por e kemi parë si qendërsulmues me karakteristika të ndryshme nga Broja dhe Manaj. Nuk ka asgjë personale me askënd, rëndësi ka vetëm skuadra dhe që në fushë të bëhet më e mira. E njëjta gjë vlen edhe për Baren dhe Muçin, ata mbeten pjesë e projektit, janë në listën e madhe, por duhen zgjedhur 24 lojtarë. Madje Muçi ishte me ne në Europian”, deklaroi Sylvinho.

Pas aventurës në Gjermani, synimi është vazhdimësia e projektit dhe rritja e skuadrës. Nuk ka kohë për eksperimente, por kërkohen rezultate në fushë: “Nations League është një aktivitet i rëndësishëm. Na presin ndeshje të forta kundër Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Republikës Çeke. Edhe pse në listë janë dy debutues, si Zeka dhe Spahiu, nuk më pëlqen të bëj eksperimente. Në fushë hyjmë për të prezantuar gjithë kombin dhe synimi është të luajmë me shpirt dhe me zemër. Është një cikël i ri të cilin duam ta përmirësojmë. Jemi në rritje, kemi më tepër eksperiencë dhe kemi dëshirë për të bërë mirë. Duhet të përmirësojmë skuadrën të bëjmë diçka të bukur gjatë këtij viti”.

Shqipëria e nis aventurën në Ligën e Kombeve më 7 shtator ndaj Ukrainës në Çeki, ndërsa në datën 10 shtator kuqezinjtë luajnë ndaj Gjeorgjisë në “Arenën Kombëtare”.

/a.r

Read Entire Article