11 Korriku, si shpëtim…

2 months ago 26
Reklamë

Nga Artur Ajazi

Ngazëllimi i marrjes së vulës, e nxiti Sali Berishën, të thërrasë protestën “popullore” në 11 Korrik. Jehona  e  asaj proteste, e cila pritet të jetë njëlloj  si të tjerat, po bëhet refreni i fjalimeve nga ballkoni i ish-liderit historik. Protesta e 11 Korrikut, shihet nga ai, si shpëtimi nga rrjedhja  dhe largimi  i atyre që akoma kanë mbetur në “mëdyshje”, dhe atyre që nuk besojnë se marrja e vulës do ti shpjerë drejt  fitores. Ajo ç’ka rezulton deri sot nga raportimet e të dërguarve në rrethe nga Berisha, është se “ringritja e strukturave  dhe ribashkimi i partisë, mbeten shpresa  ende të humbura, dhe diçka e pamundur deri në zgjedhjet e 2025”. Pikërisht për këtë dilemë, protesta e 11 Korrikut, po shihet si “shpëtimi” i vetëm nga disfata e madhe e besimit që ka mbuluar partinë e Berishës.

Refuzimi i Alibeajt dhe Bashës, për t’ju  bashkuar PD-së së Berishës, si dhe  përgjumja e strukturave, mbeten problemet kronike, ende të pazgjidhura nga ish-lideri. Në 11 Korrik, do të shihet dhe konstatohet, sa e duan, dhe sa nuk e duan Berishën. Kaq, dhe asgjë tjetër. Kamuflimet me gjoja “rrëzimin e qeverisjes Rama”, dhe profka të tjera, janë mashtrime banale. Sali Berisha mbetet në hall të madh, jo për fatin e partisë, as për fitoren e saj në zgjedhjet e 2025.

Ankthi  i tij lidhet me të ardhmen e proceseve  të nisura hetimore, apo dhe pasurisë së vënë në 34 vite. Thellimi i hetimeve  nga SPAK-u dhe strukturat e tjera si brënda dhe jashtë vendit, lidhur me rritjen e frikshme të pasurisë së tij, e kanë burimin tek aferat e dikurshme kur ishte dy  herë president, dhe dy herë kryeministër i vendit. Fshehja pas 11 Korrikut,  si  dhe propaganda  bajate se “protesta popullore do ti tundë  themelet qeverisjes Rama”, mbetet taktika më e ndryshkur që Berisha përdor akoma në referencat e tij politike.

Ngadalësimi i proceseve  riorganizuese të partisë, si dhe rendja pas ngazëllimit të “marrjes së vulës”, nisja e pazareve  dhe debateve brënda  grupimit të tij parlamentar, ka stepur  vrullin e anëtarësisë, duke i çuar ata në  mosbesim. Fushata e nisur prej 10 ditësh në rrethe, për të thirrur sa më shumë njerëz  në  bulevard në 11 Korrik, duket  sa e vakët, aq edhe mospremtuese. Megjithatë, ish-liderit historik,  protesta e 11 Korrikut, i duhet për të  përmbushur vetëm  një mision, shpëtimin e tij nga  zbehja e imazhit si kryetar PD-je, pas qëndrimit të gjatë  në “arrest shtëpie”.

Me anë të protestës së 11 Korrikut, zoti Berisha, kërkon të testojë durimin dhe besimin e mbështetësve të tij, dhe aspak për ti  treguar kryeministrit Rama se “ja kjo  është  opozita  e  vërtetë”. Tanimë dihet sa është rrudhur pjesëmarrja e tubuesve në rrugicë dhe para bashkisë, pavarsisht se ky duhej të ishte “leksioni” më i mirë për ish-liderin historik, që ai të ndryshonte jo vetëm kursin e drejtimit, por edhe vendimin për të qëndruar përjetësisht në krye të asaj partie.

Read Entire Article