Prokuroria e Speciale (SPAK) nis ditën e hënë hetimet për 21 Janarin pas urdhërit të Gjykatës së Lartë.
Të parët që do të thirren për të dëshmuar për këtë çështje do të jenë gruaja dhe xhaxhai i Aleks Nikës.
Gazetarja e Vizion Plus, Blerina Cene, mëson se bashkëshortja e Aleks Nikës, Rajmonda Nika do të jetë e para që do të japë dëshminë e saj ditën e hënë në orën 10:00.
Ndërkohë që po në të njëjtën ditë në orën 12:00 do të dëshmojë edhe Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës.
Kujtojmë që SPAK rihapi hetimet pas 13 vitesh për vrasjet e 21 janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në vitin 2011, pas vendimit të Gjykatës së Lartë.
Ishin familjarët e viktimave ata që kërkuan në Gjykatën e Lartë që “21 Janari” të hetohet nga SPAK, me argumentin se të përfshirë në vrasje rezultojnë funksionarë të lartë shtetërorë përfshi ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha dhe drejtues të lartë të Gardës së Republikës.
SPAK duhet të hetojë për të parë rolin e ish-funksionarëvë të lartë shtetërorë nëse kanë apo jo përgjgjësi në vrasjet e ndodhura 13 vite më parë.
Hetimi i parë çoi si të pandehur Ndrea Prendin dhe gardistin Agim Llupon, që u dënuan nga apeli me 1 dhe 3 vjet burg për “vrasje nga pakujdesia” ku mbetën të vrarë Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt, por për vrasjen e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës nuk u gjetën autorët.