80 vjetori i Çlirimit të Tiranës, Veliaj: Festojmë lirinë që duhet mbrojtur! Berisha mesazh për 17 nëntorin

2 hours ago 15

Tirana përkujton sot 80-vjetorin e Çlirimit nga pushtuesit nazi-fashistë. Në ceremoninë e nderimit pranë monumentit të Ushtarit të Panjohur,  morën pjesë një numër i madh personalitetesh , përfaqësues të qeverisë, veteranë dhe qytetarë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi rëndësinë për ta mbrojtur lirinë.

“80 vjet më pas, Tirana dhe Shqipëria janë më të forta se kurrë! Para dy vitesh Tirana mbajti titullin Kryeqyteti Europian i Rinisë, vjet ishte Qyteti Europian i Sportit, ndërsa vitin tjetër do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Falë atij çlirimi dhe dinjiteti, sot Tirana është më Europiane, më e zhvilluar dhe më e përparuar se kurrë më parë. Sot ne festojmë lirinë, por njëkohësisht reflektojmë për përgjegjësinë tonë si qytetarë, për të mbrojtur dhe zhvilluar këtë trashëgimi të çmuar. Le të jetë kjo ditë një kujtese e përhershme se sakrifica dhe uniteti janë çelësi për një të ardhme më të ndritur”, tha Veliaj.

Më herët, një mesazh në Facebook e ka ndarë edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha ka bërë  një  deklaratë për 80 vjetorin e Çlirimit të kryeqytetit.

“17 nëntori shënon zëvendësimin e një pushtimi të huaj, me një pushtim të egër, barbar, të brendshëm që do të zgjaste, jo 1 apo 2 vite, por do të zgjaste 46 vite”, tha Berisha.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali deklaroi se lufta për Tiranën dhe Çlirimi i Shqipërisë është një testament historik, një busull morale, për orientimin e shoqërisë shqiptare për të bërë zgjedhjet e duhura në këto kohë sërish dramatike për njerëzimin. /vizionplus.tv

Read Entire Article