Një shpërthim i fuqishëm eksplozivi ndodhi në orët e para të mëngjesit në katin e katërt të një pallati në lagjjen Haxhias në Elbasan.
Lënda eksplozive është vënë në derën e hyrjes në pronësi të një 59-vjeçari, ku po jetonin me qira dy vajza.
Lexo edhe :
Related Posts
Nga ky shpërthim mbeti i plagosur djali i familjes përballë, Enea Thomarai 26 vjec.
Në momentin e shpërthimit ai ishte duke shkuar në banjë kur dera e banesës e përplasi në dysheme në korridorin e shtëpisë. Ai u dërgua mënjëherë për ndihmë të specializuar në Tiranë.
Mjaft i tronditur nga kjo ngjarje, por veçanërisht për gjendjen e të birit, Artur Thomarai tregon momentet e tmerrit.
“Ishte ora 02:15 kur ndodhi shpërthimi. Ne ishim në gjumë. Çuni po shkonte në banjo, i ra dera në kokë nga shpërthimi. Kur u çuam ne gjetëm çunin në tokë. Ne jemi njerëz të rregull, familjarë, dy çunat i kam familjarë. Fati i keq. Përballë jeton një gocë me vajzën e vet, me një 9-vjeçare. Ka një vit që jeton këtu. Ne vetëm i përshëndesim, se i kemi komshinj përballë. Sjellje normale ka pasur, nuk kam ndonjë problem. Problemi është që këta njerëz që vijnë jetojnë me qira duhen parë. Ne jemi familjarë, nuk jemi njerëz dosido. Djali është në intubim, në spitalin ushtarak. Kërkoj nga shteti që të gjendet atentatori dhe dua të më shërohet djali. Asgjë tjetër nuk dua”, thotë babai me lot në sy.
Edhe fqinjët e tjerë flasin të tronditur për atë që ndodhi. Ata tregojnë se dëgjuan një shpërthim mjaft të fuqishëm. Madje një familje u bllokua në banesë pasi dera nuk hapej.
“Jetojmë në barbari, anarki. Kjo është demokracia…është pseudo demokraci. Nuk quhet demokraci. Edhe në Amerikë ndodhin 17 herë më shumë ngjarje të tilla. Popujt po ikin drejt anarkisë”, thotë një banor i pallatit.
“Ishim në gjumë në atë moment dhe dera ishte e mbyllur. Dera është pridhur. Kur ka ardhur policia lajmërova komshien të më hapte derën se ne ishim të bllokuar. Nuk pashë asgjë, shpërthimin e dëgjova. Akoma na dridhet mishi”, thotë një banore.
Dëme janë shkaktuar në dyer, xhama, në shkallë e soletë.
Në banesën ku është vendosur tritoli jetonin një 30 vjeçare e divorcuar nga Lezha dhe vajza e saj 9 vjeçare. Shpesh e reja vizitohej nga motra e saj. Kontaktet e 30-vjeçares me fqinjët ishin vetëm përshëndetjet e momentit. Sakaq mësohet se gruaja nga Lezha punonte me rrjetet sociale, dilte herët në mengjes nga banesa dhe kthehej me vajzën e saj.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar policia dhe grupi hetimor. Ende nuk ka një pistë zyrtare hetimi. Megjithatë mësohet se hetimet janë përqëndruar në konfliktet e mundshme të shtetases me qira.
Policia bën me dije se është ngritur një grup i posaçëm hetimor me specialistë për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe Departamentit të Policisë Kriminale në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për zbardhjen e rastit, identifikimin e kapjen e autorit./vizionplus.tv