SPAK dhe partnerët ndërkombëtarë zhvilluan së fundmi një operacion të madh kundër trafikut të qënieve njerëzore nga Shqipëria në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian.
Në një njoftim zyrtar SPAK bën me dije se janë ekzekutuar 32 masa sigurie.
Lexo edhe :
Related Posts
Është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për 31 persona nën hetim, të cilët janë organizatorë, drejtues dhe pjesëtarë të grupeve kriminale, përfshirë dhe një punonjës i strukturave të Policisë së Shtetit.
Është caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për gjashtë persona, të dyshuar për kryerje të veprave penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” kryer në formën e bashkëpunimit të vecantë, “Falsifikimi i dokumentave” kryer në formën e bashkëpunimit të vecantë, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi kriminal”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, kryer në bashkëpunim, “Shpërdorim i detyrës” si dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal janë realizuar në bashkëpunim me Autoritetet Spanjolle, Kosovare dhe nën mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe strukturat e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Grupet kriminale ishin të lidhura me dhënien e ndihmës për kalim të paligjshëm të shtetasve shqiptarë me qëllim udhëtimin e tyre drejt Mbretërisë së Bashkuar, Amerikës dhe Kanadasë.
Çfarë u konstatua nga hetimet
SPAK njofton se është dokumentuar veprimtaria kriminale, e cila ka konsistuar:
– në prodhimin e dokumentave te falsifikuara të identifikimit, kryesisht të dokumentave të vendeve të Bashkimit Europian (pasaporta, karta identiteti, leje drejtimi e dokumenta të tjera), në gjetjen apo ndërmjetësimin e shtetasve shqiptarë që kërkonin për të udhëtuar në Mbretërinë e Bashkuar, në transportimin e personave ashtu edhe të dokumentave të falsifikuara kryesisht në shtetin e Spanjës, në akomodimin dhe udhëzimin e këtyre shtetasve mbi itinerarin që do ndiqnin, të realizuar nga dy agjensi udhëtimi deri në vëzhgimin në aeroport të tyre për tu siguruar nëse ata arrestoheshin apo arrinin të largoheshin për në Mbretërinë e Bashkuar.
-në dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm nëpërmjet manipulimit të procesit të aplikimeve për viza për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Kanada, nëpërmjet përdorimit të dokumentave të falsifikuara, udhëzimit të personave se si të sillen gjatë procesit të intervistave apo në aeroport.
Në këtë veprimtari kriminale personat nën hetim sigurojnë proceset e ndryshme të saj, njohin njëri-tjetrin, dhe dinë për rolin e secilit prej tyre, rrethana të cilat të tregojnë se veprimtaria është e paramenduar, e mirëorganizuar dhe me detyra dhe role të caktuar, qëllimi i së cilës është përftimi material.
Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë ekzekutuar deri më tani 32 masa sigurimi personal për personat nën hetim, ndërkohë që për pesë personat e tjerë nën hetim po bëhen kërkimet përkatëse.
Çfarë u sekuestrua
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar sendet që kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale apo sende që përbëjnë produkt të veprës penale, shumat e parave 25 mijë euro, 20 mijë paund, sende me vlerë, një ambient i përshtatur për falsifikim të dokumentave, kompjutera e printera që shërbenin për shitje dhe transferta monedha virtuale – BITCOIN, sasi lëndësh narkotike e dokumenta të tjera me rëndësi për hetimin.
Hetimet vazhdojnë në lidhje me ekzekutimin e masave të sigurimit për personat e tjerë nën hetim, si dhe grumbullimin dhe sigurimin e provave për personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale./vizionplus.tv