Altin Lala, thirrje Brajan Grudës: Eja te Shqipëria! Do të jesh shumë më i rëndësishëm se te Gjermania

2 months ago 36
Reklamë

Altin Lala, ish-kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit, i ftuar në Ditarin e pasdites nga Bruna Çifligu në A2 CNN, u shpreh se Shqipërinë e pret një ndeshje shumë e vështirë ndaj Spanjës, por sërish ai theksoi se ka shpresa.

“Dëgjoj edhe spekulime që po fitoi sot Spanja ndaj Italisë do të aktivizojë ata që nuk kanë luajtur me Shqipërinë, por ata do të jenë edhe më të motivuar. Nuk do të jetë e lehtë pasi mënyra sesi spanjollët luajnë, është shumë e vështirë për ne. Shpresoj të mos kem të drejtë, por është skuadra më e vështirë me të cilën ne do të ndeshemi në këto eliminatore. Unë sërish kam një ndjenjë pozitive. Ndoshta edhe trajneri mund ta freskojë pak skuadrën. Arbër Hoxha më ka pëlqyer në të gjitha ndeshjet. Ai e tërheq skuadrën përpara. Një kundër një është shumë i rrezikshëm dhe këtë e pamë edhe ndaj Kroacisë”, tha Lala.

Teksa foli për rritjen e ndjeshme ndër vite të Shqipërisë, Lala riktheu edhe njëherë shpresën se Brajan Gruda mund të luajë me Shqipërinë edhe pse u grumbullua nga Gjermania në fazën përgatitore para Europianit.

“Shqipëria në këtë Europian po tregon se 2016-ta nuk ishte rastësi. Ne po vazhdojmë të kemi progres dhe po vazhdojmë të kemi prurje të reja. Ka ende shumë talente. Shpresoj shumë që edhe disa lojtarë, për shembull si Gruda, të vendoste të vinte të luante për Shqipërinë. Besoj se do të ishte vendimi i duhur. Ai do të na bënte më shumë punë neve sesa gjermanëve.

Shpresoj që të vijë të luajë për kombëtaren shqiptare. Të gjithë ata që kanë gjak shqiptar të vendosin të luajnë për Shqipërinë, pasi edhe ne kemi shanset tona. Nëse te gjithë shqiptarët do të ishin në një ekip, atëherë do të mund të luanim një rol shumë herë më të madh. Tifozët janë duke e bërë këtë gjë, ndoshta edhe politika. Ndoshta do të jetë një proces në të ardhmen, që të kemi një kombëtare dhe pastaj do të jemi jashtëzakonisht të fortë. Të marrim Kroacinë, një kroat kudo të lind luan vetëm për kombëtaren e Kroacisë”, tha Lala./m.j

Read Entire Article