Tre persona të së njëjtës familje mbetën të plagosur gjatë një feste në kryeqytet, e cila mund të kthehej në një tragjedi fatkeqe. Policia bën të ditur se tre të plagosurit janë motra e vëllezër, të cilët së bashku me të tjerë miq e familjarë, ishin mbledhur për të festuar në një lokal në “Rrugën e Kavajës”.
Një nga të pranishmit mbante me vete një armë zjarri pa leje, e cila u shkrep në mënyrë të pavullnetshme.
Të plagosurit u paraqitën në një spital privat për ndihmë mjekësore, teksa fatmirësisht gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.
“Më datë 23.07.2024, rreth orës 01:35, janë paraqitur në një spital privat, për ndihmë mjekësore, shtetasit E. P., 36 vjeçe, A. P., 36 vjeç, dhe D. P., 34 vjeç, me dëmtime të shkaktuara dyshohet nga armë zjarri.
Këta shtetas, rreth orës 01:30 të mëngjesit të sotëm, kanë qenë duke festuar së bashku me persona të tjerë nga rrethi i tyre shoqëror dhe familjar, në një lokal në Rrugën e Kavajës”, njofton policia.
Policia po heton ngjarjen, ndërsa 32-vjeçari që mbante me vete armën e zjarrit është shpallur në kërkim./vizionplus.tv