BE zhvendos takimin ministror, mesazhi i Borrell për Orban: Çdokush që shkon kundër politikës së BE-së do të ketë pasoja

3 months ago 30

Në Bruksel, në vend të Budapestit, në fund të gushtit pritet të zhvillohet takimi jozyrtar i ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, i ashtuquajturi Gymnich, siç paralajmëroi kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borel .

Ky vendim konsiderohet si një “mesazh” politik i BE-së, pas vizitave në të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, në Moskë dhe Pekin, si pjesë e “misioneve të tij të paqes”, siç pretendonte ai.

Ndonëse kryeministri hungarez më vonë u përpoq t’u sqaronte homologëve të tij evropianë se këto ishin takime dypalëshe, të cilat nuk u zhvilluan në kuadër të presidencës aktuale hungareze të Këshillit të BE-së, nuk duket se ia doli t’i bindë.

“Ne duhet të dërgojmë një mesazh, edhe nëse është simbolik, se gjithçka që shkon kundër politikës së BE-së do të ketë pasoja”, vuri në dukje Borel, menjëherë pas përfundimit të Këshillit të Punëve të Jashtme të sotme në Bruksel.

Mirëpo, shefi i diplomacisë evropiane mohoi termin “bojkot” në lidhje me organizimin e takimit joformal të Gymnich, në kuadër të presidencës hungareze të Këshillit të BE-së.

“Këshilli informal do të bëhet”, tha Josep Borel, duke thënë se nuk ka rëndësi nëse do të mbahet në Bruksel, Budapest apo gjetkë, pasi siç informoi ai ka pasur një propozim që të mbahet në një qytet tjetër, por nuk u miratua nga “27”.

“Do të ketë një këshill joformal me pjesëmarrjen e të gjitha vendeve anëtare, përfshirë edhe atë që ka marrë presidencën e rradhës të BE-së”, theksoi kreu i diplomacisë evropiane. 

“Kjo është një masë simbolike,” sqaroi Borrell, ndërsa nënvizoi se sjellja e kryeministrit hungarez shkeli traktatet evropiane mbi bazën e mungesës së bashkëpunimit të ndershëm  me BE-në.

Në këtë kuadër, kryetarja e Komisionit, Ursula von der Leyen, vendosi javën e kaluar që komisionerët të mos marrin pjesë në takimet joformale ministrore të organizuara nga presidenca hungareze./vizionplus.tv

Read Entire Article