Begaj dekreton rektorët e rinj të universiteteve të Shqipërisë

2 months ago 31

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, dekretoi sot rektorët e rinj të universiteteve të Shqipërisë.

Kreu i Shtetit e ndërmori këtë akt në mbështetje të Kushtetutës, ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, si dhe mbi bazën e rezultateve të zgjedhjeve për organet dhe autoritetet drejtuese në universitetet publike, përcjellë nga Ministri i Arsimit dhe Sportit.

Gjatë fjalës përshëndetëse në ceremoninë e dekretimit, Presidenti Begaj theksoi sfidat me të cilat përballet arsimi i lartë shqiptar dhe misionin e drejtuesve të universiteteve publike.

Në kontekstin e revolucionit global të teknologjisë digjitale dhe inteligjencës artificiale, arsimi universitar, – u shpreh Presidenti i Republikës, përballet me sfida të vështira, ndaj dhe ka nevojë të evoluojë për të ruajtur dhe zhvilluar cilësinë e tij, në mënyrë që kërkimi dhe veprimtaria akademike të mbeten konkurruese për të ardhmen e vendit.

Presidenti Begaj u kërkoi rektorëve të zgjerojnë veprimtarinë e tyre për të qenë pjesë e një komuniteti më të madh, me të cilin ndajnë përgjegjësitë dhe misionin, nga projektet në shërbim të komunitetit, deri te partneritetet me institucionet dhe organizatat lokale e ndërkombëtare.

Gjithashtu, Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e forcimit të lirisë dhe pavarësisë akademike për të zhdërvjelltësuar vendimmarrjen, debatin dhe ballafaqimin e ideve, duke e cilësuar kulturën e debatit si thelbësore për ushtrimin e mendimit të lirë në përputhje me historinë tonë, vlerat tona dhe në përputhje të plotë me mision e drejtuesve të arsimit të lartë.

Përballë konkurrencës së fortë ndërkombëtare dhe synimit të të rinjve për të studiuar jashtë vendit, Kreu i Shtetit këshilloi rektorët të krijojnë mundësi të barabarta dhe stimuluese në Shqipëri përmes transformimit të universiteteve dhe ofrimit të kushteve që të rinjtë tanë të mos ndihen të detyruar ta kërkojnë suksesin jashtë vendit.

Presidenti Begaj i kushtoi një rëndësi të veçantë edhe kërkimeve akademike, duke inkurajuar rektorët të punojnë fort për një cilësi të lartë në çdo aspekt të veprimtarisë për të kontribuar në zhvillimin shkencor dhe teknologjik të vendit./vizionplus.tv

Read Entire Article