Opozita vijon të jetë e paqartë për të ardhmen e saj, ndërsa deputetët që mbështesin Sali Berishën kanë ashpërsuar tonet ndaj SPAK-ut, pas hetimeve që janë nisur për ish-kryeministrin.
Kreu i Partisë Demokristiane Nard Ndoka në një lidhje live për edicionin e lajmeve në Vizion Plus me Roland Zilin deklaroi se SPAK është duke përdorur standarde të dyfishta ndaj opozitës dhe mazhorancës. Sipas tij, për Berishën kanë nisur hetime pa pasur asnjë provë apo fakt konkret, ndërsa shtoi se kjo lëvizje do e forcojë dhe do e bëj më agresive opozitën përballë pushtetit të Ramës.
Ai më tej theksoi se Lulzim Basha është marrë peng nga kryeministri Edi Rama me dosjen e lobimit rus, ndërsa përfaqësuesit e partive opozitare po hetohen politikisht nga drejtësia.
Intervista e plotë:
-Si e lexoni ju betejën e zotit Beisha me drejtësinë? A po sjell ajo kosto për gjithë opozitën në tërësi?
Po sjell kosto për vetë sistemin tonë plural, por edhe për atë të drejtësisë, për faktin se nuk ka asnjë logjikë politike dhe juridike forma dhe mënyra si ndiqet. Ka një lloj standardi.
Deputetët kanë imunitet që i mbron nga sulmet politike, jo nga drejtësia dhe kjo është arsyeja që vendet perëndimore e kanë këtë lloj standardi që shumë politikanë që janë dënuar e më vonë janë shpallur të pafajshëm u ka kushtuar shtrenjtë.
-Berisha po shkon drejt izolimit në shtëpi çfarë ndodh me opozitën në këto kushte?
Kjo është edhe më e rëndë. Për Berishën nuk ka një akuzë. Kjo dëmton procesin, besueshmërinë dhe standardin e SPAK. Berisha mund të hetohej i lirë dhe ti përgjigjej në çdo rrethanë drejtësisë. Ai është lideri i opozitës dhe merr konotacion tjetër kur e godet pa prova dhe fakte.
-Ju si aleat u kemi parë pak të distancuar nga kjo që po ndodh me zotin Berisha dhe risjell në vëmendje krijimin e një konfederate të së djathtës pak kohë më parë. Si do e zhvilloni këtë ide politike kur PD është e përçarë, Berisha do jetë në shtëpi dhe Basha nuk ka komunikim me ju?
Opozita është institucion përtej emrave dhe partive të veçanta. Është e rëndësishme që opozita të organizohet Për fatin e mirë po gjejmë rrugë edhe me pengesat që na dalin para. Janë disa gjëra që të japin motiv. Nuk e dëmton opozitën një gjë e tillë. Mund të bëhet një opozitë më agresive përballë pushtetit të Ramës
-SPAK ka krijuar pakënaqësi në gjirin e opozitës për shkak të asaj që po ndodh me Berishën dhe asaj që do ndodhë me Metën dhe Kryemadhin. Por kemi edhe ministra e ish ministra që janë nën lupën e SPAK. Ju si e shikoni këtë lëvizje të SPAK?
Ka pasur standard të dyfishtë, nga opozita po veprojnë ndryshe nga mazhoranca ndryshe. Nga opozita krijohen tymnajë pa akuza. Me Lulzim Bashën e kapur peng nga rama me dosjen e lobimit rus, kemi ish presidentin Meta që të gjitha mediat mbushin thashetheme ndaj tij, kemi zotin Mediu që i hapen çështjet, partia e Dules është marrë peng nga policia. Kjoështë një goditje frontale ndaj opozitës. Kjo na krijon një frymë mbytëse./vizionplus.tv