Ky vit i ri shkollor ka gjetur në bangat e shkollës një numër më të ulët nxënësish në disa qytete, ndërkohë që edhe këtë herë do të ketë shumë shkolla që do ta zhvillojnë mësimin me dy turne.
1220 nxënës janë ulur për herë të parë në bangat e shkollës në Shkodër, nga 15 mijë e 473 nxënës që ulen në total në të gjithë sistemin parauniversitar.
Rënia e numrit të nxënësve ka sjellë këtë vit edhe mbylljen e 3 shkollave në njësitë administrative të Bashkisë Shkodër.
“Përtej krizës, ka shkolla në qytet që sivjet do të zhvillojnë sërish mësim me dy turn”, tha drejtoresha e ZVA Shkodër, Brisela Kadija.
Edhe në Elbasan numri i nxënësve është reduktuar krahasuar me vitin e kaluar
Ndërkohë mësimi do të zhvillohet me dy turne për ata nxënës, shkollat e të cilëve janë ende në rikonstruksion.
“Mësimi me dy turne do te jetë për nxënësit e shkollës 9-vjeçare “22 Tetori” dhe për disa klasa të shkollës Uznovë.Në shkollën e re të rindërtuar,Bab Dud Karbunara do të zhvillojnë mësimin paradite dhe pasdite 12 klasat e shkollës 9-vjeçare “22 Tetori”,e cila po rindërtohet nga themeli”, tha drejtoresha e arsimit në bashkinë Berat, Klodjana Hoxha.
Ndërsa në Durrës te gjitha shkollat e arsimit parauniversitar publike dhe jopublike kanë hapur dyert. Drejtoresha e zyrës arsimore Amarilda Thermija tha se pas dëmtimeve që solli tërmeti i vitit 2019 janë ndërtuar katër shkolla të reja.
Në Gjirokastër gjithashtu, viti i ri arsimor nisi me më pak nxënës. Ndërkohë edhe në Fier dhe në Vlorë ka një tendencë në rënie të numrit të nxënësve, por nuk raportohet për shkolla të mbyllura./vizionplus.tv