Bilanci i gjysmës së parë të vitit, Sejko: Më shumë kredi në lek, shtrëngohen kushtet për mikrokreditë

2 months ago 25

Nga euro në lekë! Shqiptarët po “braktisin” valutën europiane duke u qasur më shumë te monedha kombëtare të paktën në një drejtim, atë të kredive të marra në banka në gjysmën e parë të vitit.

“Ne kemi pasur një rritje të kredisë me bazë vjetore në nivelin e 15 për qind dhe brenda kësaj rritje, vetëm kredia në lekë është rritur në nivelin e 20 për qind. Kjo rritje ka qenë e njëtrajtshme si për individët ashtu edhe për bizneset”, tha Gent Sejko.

Duke e cilësuar si zhvillim pozitiv zgjerimin e kredi-dhënies, ndikuar kryesisht nga kërkesa për hua për blerje banesash, Banka e Shqipërisë vlerëson se “ditët e mira të kësaj ecurie” mund të mos zgjasin përgjithmonë, raporton A2.

“Rreziku kryesor që përballet sektori financiar dhe ai bankar është rreziku i kredisë… sikurëse e thash rreziku i kredisë ka qenë i kontrolluar, ka ardhur në rënie sipas analizave, por disa elementë janë për t’u vlerësuar dhe për t’u adresuar dhe këto ishin si objekt i analizës së Këshillit Mbikëqyrës”, shton Sejko.

Pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, që miratoi Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë 2024, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tregoi edhe mbi masat që po merren për mbrojtjen e huamarrësve veçanërisht në institucionet financiare jo-banka.

“Do të ketë një filtrim më të mirë të klientëve që janë huamarrës në këto institucioneve financiare duke parashikuar ose parandaluar një moshë të caktuar, një aftësi të caktuar ose duke marrë në analizë më mirë  financat e tyre personale dhe aftësinë e tyre për të qenë huamarrës të këtyre institucioneve financiare jo-banka” , tha ai.

Në mbledhjen e së mërkurës, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës Qendrore vlerësoi se rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend mbeten të pranishëm, kryesisht nga zhvillimet gjeopolitike në botë.

/a.r

Read Entire Article