Botërori i Skive, përfaqësuesja e Shqipërisë Lara Colturi kualifikohet në finalen e Solden

4 hours ago 17

Pas sukseseve në mundje dhe në atletikë, sportistët e Sport Klub Tiranës vijojnë të dhurojnë rezultate të shkëlqyera në garat ndërkombëtare për Shqipërinë dhe ngjyrat Kuq e Zi. Këtë fundjavë është skiatorja e talentuar, Lara Colturi, që garon për Shqipërinë, e cila arriti të kualifikohet në finalen e ‘sllallomit gjigand’ në Solden.

Skiatorja që mbron ngjyrat “Kuq e Zi” është renditur e 16-ta në etapën inaguruese. Ndalesa e radhës është me 16 Nëntor në Levi.

Në mbështetje të sportistes së re, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se vëmendja ndaj sportistëve shqiptarë po jep rezultatet e pritshme, si në mundje dhe atletikë, e tani edhe në ski.

“E filluam këtë verë në Paris, ku dy mundësit tanë sollën medaljet e para olimpike për Shqipërinë. Jam shumë i lumtur sot që mbështetja e Bashkisë së Tiranës, me Larën, kampionen tonë, e ka çuar atë në 16 më të mirat e botës. Duke patur parasysh se Lara është sa gjysma e moshës së më të mirave të botës, do të thotë se e ardhmja është përpara. Jam shumë i lumtur që politikat tona sportive në Shqipëri, e sidomos të Bashkisë së Tiranës, na kanë nderuar me gocën tonë”, tha Veliaj.

Kjo arritje e Lara Colturit është një tjetër dëshmi e përkushtimit të sportistëve të rinj dhe mbështetjes së Bashkisë së Tiranës për suksesin e tyre në garat ndërkombëtare.

/a.r

Read Entire Article