“Çmimi” i drejtësisë, duhen rreth 4.5 miliardë lekë deri në vitin 2030

1 week ago 27
Reklamë

Edhe 4.5 miliardë lekë në emër të çuarjes para të reformës në drejtësi deri në vitin 2030. Me Strategjinë ndërsektoriale e hedhur në konsultim publik, ministria e Drejtësisë tregon drejtimet e shpenzimit të këtyre parave.

“Në këtë strategji, ky qëllim politike siguron transparencë lidhur me veprimtarinë institucionale të organeve të drejtësisë për sistemin e drejtësisë. Drejtësi e afërt me qytetarët, synon qasjen e publikut të gjerë në Reformën në Drejtësi, përgjatë viteve 2030 dhe garanton aksesin e publikut në informacion për sistemin e drejtësisë dhe në proceset e integrimit evropian.”

Pesë janë politikat që përbëjnë shtyllat e strategjisë së re me qëllim edhe anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Për “Konsolidimin e arritjeve të reformës në drejtësi” janë planifikuar të shpenzohen gati 450 milionë lekë dhe po aq edhe për “Forcimin e pavarësisë, paanshmërisë dhe llogaridhënies.”, shkruan A2.

Politikës së tretë, asaj të “Rritjes së efikasitetit të institucioneve” i janë vënë në dispozicion gati 3 miliardë lekë. Pjesa tjetër e parave do të shkojnë për forcimin e cilësisë dhe garantimin e një drejtësie më afër me njerëzit, raporton A2.

“Hendeku financiar për të gjithë periudhën 2024-2030 është 476.3 milionë lekë ose 10.6% e kostove indikative. Për periudhën 2024-2026, buxheti i shtetit pritet të financojë 63.6% të kostove indikative  totale të zbatimit të planit, ndërsa 25.7% janë shpenzimet e planifikuara për periudhën 2027-2030.”

Sipas relacionit të projektligjit, 80 për qind e gjyqtarëve dhe prokurorëve do kenë të paktën një vlerësim të plotë etik dhe profesional deri në fundin e vitit 2030.

Gjithashtu pritet zgjerimi i numrit të të burgosurve që do të përfshihen në aktivitete rehabilituese, ndërsa synohet edhe digjitalizimi tërësisht i sistemit të arkivave të gjykatave.

/a.r

Read Entire Article