Diaspora mirëpret dakordësinë PS-PD, Milaqi: Duhet operator ndërkombëtar për realizimin e votimit

3 months ago 28

Nga: Enkelejda Mema

Kur socialistët erdhën në pushtet premtimi për diasporën ishte ushtrimi i të drejtës së votës nga aty ku jeton. Në mbyllje të mandatit të tretë qeverisës fjala e dhënë prej më shumë se një dekade do të kalojë provën e të vërtetës të premten në parlament. Nga Edi Rama dhe Sali Berisha diaspora pret që marrëveshjen politike të arritur në grupin e dialogut ta ligjërojnë.

Ujdia për t’ia njohur të drejtën e votës në distancë çdo shqiptari pavarësisht statusit është mirëpritur nga “Diaspora” që me politikën zhvilloi beteja ligjore për të marrë atë që Gjykata Kushtetuese ia njohu si të drejtë, votimin nga aty  ku jetojnë.

“Është pozitive. Nuk kushtëzohet deklarimi i adresës pranë platformës e-albania, duke i dhënë mundësinë edhe atyre shqiptarëve që nuk kanë një vendbanim apo lejeqëndrim të përhershëm jashtë Shqipërisë. Përfshin gjithashtu edhe votues që ndodhen për arsye të përkohshme si vizite, trajtimi mjekësor apo për qëllime studimore e akademike”, theksoi Bledar Milaqi, “Lëvizja për Diasporën e Lirë”.

Votimi me postën shqiptare apo atë ndërkombëtare? Në propozimin e Partisë Socialiste nuk përcaktohet, në atë të Partisë Demokratike kërkohet një operator ndërkombëtar. Kjo e fundit është e duhura edhe për vetë diasporën.

“Ekziston gjithnjë skepticizimi për sa i përket postës shqiptare pasi është lehtësisht e influecueshme nga pushteti politik apo nepotizmi. Në këtë kontekst edhe në drafin tonë e kemi përmendur që kjo të realizohet nga një operator ndërkombëtar që ka eksperiencë në zhvillimin e proceseve zgjedhore të votimit jashtë vendit dhe është i certifikuar në nivel ndërkombëtar.”

Kur marrëveshja mes PS dhe PD është ende në parim, “Diaspora” i kërkon politikës të mos bëjë të njëjtin gabim si për parlamentaret e 2021-it. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të jetë vetëm “ekzekutuesi” i ligjit dhe jo hartues i akteve normative që kërkojnë marrëveshje politike në Komisionin Rregullator, marrëveshje që katër vite më parë nuk u arrit dhe vota e diasporës dështoi.

“I frikësohemi që në seancën e fundit paralamentare e gjitha kjo çështe do t’i delegohet KQZ dhe Komisionit Rregullator. Jemi kritik ndaj elementit të ngarkimit në kopetenca politike apo në draftimin e aktve normative institucioneve që në vetvete janë organe administrative dhe nuk kanë kopetenca për të draftuar akteve nnormative siç janë KQZ apo Komisioni Rregullator”.

Mundësimi i votimit nga jashtë tanimë është në derë të parlamentit. Ilirjan Celibashi e ka paralajmëruar se nëse shumica socialiste dhe pakica demokratike nuk i certifikojnë me votë ndryshimet ligjore për mënyrën e regjistrimit, votimit dhe përllogaritjes së vullnetit politik të shqiptarëve në emigrim, KQZ do të shpallë dështimin e dytë./vizionplus.tv

Read Entire Article