Diplomohen 55 magjistratë të rinj, Sadushi: Ruani integritetin dhe kini guximin të vendosni drejtësinë

2 months ago 19
Reklamë

55 magjistratë të rinj janë diplomuar ditën e sotme (27 qershor), ku 32 prej tyre si gjyqtarë dhe 23 si prokuror, të cilët do t’i bashkohen së shpejti komunitetit të magjistratëve. Kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi i cilësoi ata si e ardhmja e drejtësisë që do ta ndryshojnë atë duke u bërë më i besueshëm.

Sadushi tha se ata duhet të ruanin integritetin dhe të kenë kurajën të vendosin drejtësinë e duhur dhe nuk duhet të keqpërdorin fuqinë që u jepet.

“Ju keni përgjegjësinë për të bërë që sistemi i drejtësisë të ndryshojë dhe të bëhet i besueshëm. Ju e filloni betejën për bërjen e drejtësisë me modelin që do të prezantoni. Ju duhet të dini se një magjistrati i duhet integritet, kurajë, durim dhe maturi për të vepruar në emër të së drejtës. Duhet të jeni të vetëdijshëm për pushtetin që ju jepet, për dinjitetin e funksionit, por edhe për kufizimet që ju imponohen. Funksioni që do të ushtroni ka pushtet dhe fuqi të madhe. Prandaj nuk duhet ta keqpërdorni. Drejtësia ka nevojë për mjaft gjëra, por sidomos për një zë të fortë dhe të dëgjueshëm. Magjistrati duhet ta gjejë zërin në sallën e gjykimit, aty ku ai, pavarësisht ndrojtjes, hezitimit, pasigurisë, rezervave që ka, duhet që të flasë dhe zëri i tij që përçon drejtësinë të jehojë, jo duke bërë zhurmë, por duke përçuar siguri dhe integritet. Zëri i drejtësisë duhet të dëgjohet nga viktima që ka humbur dinjitetin, nga autori i veprës që ka humbur arsyen, nga pala që ka humbur shpresën dhe besimin te drejtësia, nga i dobëti dhe i pambrojturi që është i frikësuar nga padrejtësia. Zëri juaj është zëri që përçon shpresë dhe besim”, tha Sadushi.

Lidhur me çështjet e ndjeshme për shoqërinë, Saduhi tha se magjistratët e prokurorët nuk duhet të qëndrojnë indiferent dhe të forcojnë besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.

“Nëse përballeni me çështje që janë të rëndësishme për ju ose komunitetin ku bëni pjesë, mos qëndroni pasiv dhe indiferent, por bëni diçka. Indiferenca është sjellja më e dëmshme që një profesionist i së drejtës mund të reflektojë. Synoni dhe përpiquni të merrni rol, aty ku është e mundur dhe e nevojshme. Angazhimi juaj profesional nuk është vetëm seanca gjyqësore, por edhe vendimmarrje të tjera, jashtë sallës së gjykimit, të lidhura indirekt me të. Sa herë të hyni në sallën e gjykimit hyni me ndjenjën e thellë se ndërsa gjykoni, prisni edhe të gjykoheni. Pavarësia iu jepet për t’iu garantuar detyrën, por nuk ju bën të pakontrollueshëm. Vetëm në këtë mënyrë do të forconi besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë.

Mos harroni: askush më mirë se magjistratët nuk i di problemet e sistemit të drejtësisë, askush më mirë se magjistratët nuk e kupton dhe ndjen peshën e padrejtësisë, cenimin e pavarësisë dhe presionin për shkak të saj. Prandaj përpiquni sa të mundeni ta bëni sistemin e drejtësisë të besueshëm, profesional dhe me integritet”, tha Sadushi.

/a.r

Read Entire Article