Në ditën e tretë të zgjedhjeve europiane qytetarët votojnë në Itali, Letoni, Sllovaki, Republikën Çeke dhe Maltë. Në Itali, qendrat e votimit sot hapen nga ora 15:00 deri në orën 23:00 ndërsa Giorgia Meloni shpreson se rezultati i zgjedhjeve do të forcojë kontrollin e saj në politikën italiane.
Meloni, e cila drejton partinë e ekstremit të djathtë në Itali Frateli d’Italia ka ndërmarrë hapin për të vendosur emrin e saj në krye të listës zgjedhore të partisë, edhe pse nuk ka ndërmend të ulet në karrigen e eurodeputetes.
Ndërkohë në Republikën Çeke qytetarët votojnë në ditën e dytë radhazi. Disa parti nga grupe të ndryshme politike në Parlamentin Evropian kanë formuar një listë të përbashkët kandidatësh për t’iu kundërvënë populistëve nga partia e ish-kryeministrit Andrej Babis.
Ndërkaq në Sllovaki, kryeministri Robert Fico, që po merr veten pas atentatit të muajit të kaluar, u rikthye në skenën politike këtë javë me një sulm ndaj opozitës liberale, medias antiqeveritare dhe Organizatave joqeveritare të financuara nga jashtë, për të cilat ai tha se kishte krijuar një klimë urrejtjeje që nxiti edhe atentati ndaj tij. Ndërkohë pjesa tjetër dhe më e madhe e vendeve do të votojnë të dielën.
Duke qenë zgjedhjet e para pas pandemisë së Covid 19, nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, valës së imigrantëve, dhe rritjes së rreziqeve prej ndryshimeve klimatike, këto zgjedhje po konsiderohen tejet të rëndësishme për të ardhmen e Parlamentit të Strasburgut. Rezultatet në mbarë Evropën janë planifikuar të shpallen të dielën në mbrëmje, pasi të gjitha vendet evropiane të kenë përfunduar votimin./vizionplus.tv