E veja e Alexei Navalny, Yulia, tha sot se ajo dhe vajza e saj Dasha po ngushëllojnë njëra-tjetrën pas vdekjes së papritur të disidentit Alexei Navalny javën e kaluar në një koloni burgu rus.
Yulia Navalnaya ka postuar një foto në X, duke treguar veten dhe Dashën krah për krah. Të dyja shfaqen të trishtuara në foto.
“Vajza ime e ëmbël. Unë erdha këtu të të përqafoj dhe të të mbështes dhe ti gjithashtu më përkrah. Kaq e fortë dhe e guximshme. Do ta kalojmë këtë, zemër. Më vjen shumë mirë që je këtu. Të dua”, shkruan Yulia.
Милая моя девочка. Я же прилетела тебя обнять и поддержать, а ты сидишь и поддерживаешь меня.
Такая сильная, смелая и стойкая. Мы обязательно со всем справимся, родная. Как хорошо, что ты рядом. Люблю. pic.twitter.com/FzDbrykUjH
— Yulia Navalnaya (@yulia_navalnaya) February 22, 2024
Është e paqartë se ku dhe kur është bërë kjo foto. Navalnaya, 47 vjeç, ishte në Mynih javën e kaluar kur mësoi për vdekjen e bashkëshortit të saj, disidentit më të njohur rus në Perëndim.
Dasha, fëmija i madh i çiftit Navalny, është studente në Universitetin Stanford në SHBA.
Yulia Navalny është zotuar të vazhdojë punën e burrit të saj dhe fajësoi për vdekjen e tij presidentin Vladimir Putin, një akuzë që Kremlini e hodhi poshtë me zemërim.
Putin nuk ka komentuar publikisht vdekjen e Navalny, i cili po vuante dënime me burg për një sërë akuzash, duke përfshirë ekstremizmin dhe mashtrimin, që arrinin në 30 vjet. Ai pretendoi se akuzat ishin të sajuara për t’i mbyllur gojën.
Kremlini ka thënë se nuk është përgjegjës për vdekjen e tij, për të cilën thotë se është duke u hetuar./vizionplus.tv