“Drejtësia” raporton në Kuvend, Çela: Mbizotëruan krimet kundër sigurisë dhe vjedhjet

4 months ago 24

Institucionet e drejtësisë po raportojnë sot në Kuvend gjendjen e kriminalitetit përgjatë vitit që lamë pas.

I pari që raportoi ishte Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela që i parapriu fjalës së tij duke ngritur edhe një herë problemin madhor të vakancave në drejtësi që edhe gjatë 2023 krijoi një boshllëk prej 38% nga radhët e prokurorisë.

Çela tha se vihet re që vepra penale më e hetuar gjatë vitit të kaluar është ajo kundër rendit e sigurisë, e ndjekur nga vjedhja e pasurisë.

“Ndër grupveprat penale me numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara, evidentohet se veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara me 31,71%, por me njëulje 1,54 % krahasuar me vitin 2022; veprat penale vjedhja e pasurisë përbëjnë 23,64% të numrit të përgjithshëm të procedimeve të regjistruara, të cilat kanë ulje 16.39 % krahasuar me vitin 2022; sërish me një tendencë ulje të ndjeshme si në vitin e kaluar; veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes 6,2%, me një ulje prej 4.68 % në krahasim me vitin 2022”, tha Çela.

Çela shtoi se nga 97 prona të sekuestruara deri tani vetëm 19 i përkasin shtetit.

“Në shifra, rezulton se janë sekuestruar rreth 97 prona  të paluajtshme, 16 340 m2 truall, 28 746 m2 arë, 11 llogari bankare në vlerën rreth 2,53 milionë euro dhe 434 milionë lekë, në total rreth 6.87 milionë euro etj. Ndërkohë është kryer konfisikimi për 19 pasuri të paluajtshme dhe rreth 500 000 euro”, tha Çela.

Pritet që përballë ligjvënësve të raportojnë, kryeprokurori i SPAK Altin Dumani, drejtuesja e KLGJ, Naureda Llagami dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani.

Read Entire Article