Dy betejat e fituara të opozitës, që shkojnë dëm

4 months ago 27

Nga Mero Baze

Pas vitit 2021, opozita ka fituar vetëm dy beteja. E para, mund të quhet betejë e fituar Komisioni hetimor për inceneratorët, i cili shërbeu si një shkundje e fortë për qeverinë dhe më pas drejtësinë, në lidhje me hetimet për atë skandal. E dyta, është kjo beteja e vogël në dukje, por e rëndësishme, për taksën e profesioneve të lira.

Në betejën e parë, në Komisionin Hetimor, Jorida Tabaku ishte nën presionin e grupit të Berishës, i cili më shumë donte të sabotonte komisionin, se sa të merrte pikë deputetja që në atë kohë drejtonte Komisionin si pjese e PD së Lulzim Bashës.

Dhe u bë aq e shëmtuar ajo lufta kundër saj, sa pjesa e Berishës nuk firmosi as raportin përfundimtar të Komisionit. Mos të them pastaj akuzat nën zë.

Në fakt Komisioni filloi tatëpjetën e personazheve të inceneratorëve. Disa muaj pas tij dha dorëheqjen zëvendëskryeministri, i cili më pas kaloi nën hetim dhe u shpërbë gjithë piramida e kompanive guaskë dhe njerëzve të përfshirë në atë histori.

Shumë nga këto portalet që shesin e blejnë informacione nga personazhet e inceneratorëve kundër njëri- tjetrit, e kanë sulmuar Tabakun atëherë sikur të ishte në krye të inceneratorëve.

Edhe beteja e sotme pati protagoniste po Jorida Tabakun nga një pozicion i ndryshëm poltik i dy viteve më parë. Ajo i doli zot publikisht kontestimit të ligjit për profesionet e lira dhe sot u arrit në një vendim, që në fakt është i drejtë sa i përket propocionalitetit para ligjit fiskal të gjithë bizneseve të vegjël.

I solla të dy rastet për të kuptuar se opozita që i prish punë qeverisë, në të vërtetë është opozita institucionale, ajo që përballet me problemin aty ku duhet përballur dhe jo opozita e rrugës, që ka axhenda personale, që vepron si grup mercenar me pagesë, dhe për shkak të tyre banalizon gjithë aksionin opozitar.

Grupi i gatshëm që paradite është para bashkisë e mbasdite poshtë penxheres, jo vetëm që e ka bërë qesharak opozitën, por ka humbur sensin e të bërit opozitë, pasi çdo ditë dëshmon pafuqinë e vet dhe largon qytetarët nga opozita.

Ndërsa me këto dy aksione, opozita jo vetëm që kë vënë në pozitë të vështire qeverinë, por ka fituar simpatinë e shtresës gri të qytetarëve, të cilët lidhen me politikën për interesa konkrete dhe jo për hallet e familjes së Sali Berishës, që nuk numërojnë dot metrat katrorë që kanë vjedhur tek Klubi “Partizani”.

Kjo është e mira e këtij tipi opozite. E keqja pastaj është kur kjo opozitë bashkohet me opozitën e Berishës dhe e humbet komplet kuptimin.

Është pak a shumë si ato kazanet e plehrave në Tiranë, ku të thonë “këtu hidh qelqin”, “këtu letrat”, “këtu plehrat” dhe pasi ti e ke bërë këtë, vjen makina e plehrave i merr të gjitha dhe i bashkon të gjitha në një kazan.

Read Entire Article