“E dimë kush jeni”, SHBA ofron miliona dollarë për “kokën” e hakerave rusë

2 months ago 23

Shtetet e Bashkuara kanë ngritur akuza ndaj 5 oficerëve të zbulimit rus dhe një civili në lidhje me një sulm të madh kibernetik, i cilësuar nga prokurorët amerikanë si goditja e parë e Kremlinit në luftën kundër Ukrainës.

Departamenti i Drejtësisë akuzoi rusët për kryerjen e e sulmit dashakeqës “WhisperGate” në janar të 2022 që synonte të dobësonte infrastrukturën civile të Ukrainës përpara inkursionit të ushtrisë që nisi një muaj më pas.

“WhisperGate kishte si objektiv infrastrukturën civile dhe sistemet kompjuterike ukrainase krejtësisht të palidhura me ushtrinë ose mbrojtjen kombëtare, që përfshijnë agjencitë qeveritare përgjegjëse për shërbimet e urgjencës në Ukrainë, sigurinë ushqimore dhe arsimin”, tha Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Matthew Olsen.

Sipas VOA, zyrtarët e FBI-së thanë se njësia GRU ka operuar gjithashtu me emrat Cadet Blizzard, Ember Bear dhe Dev-0586, duke kryer sulme kibernetike në infrastrukturën kritike në të gjithë Evropën, Amerikën Qendrore dhe Azi.

Përveç akuzave të reja, zyrtarët amerikanë thanë se po ofrojnë një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacion mbi secilin nga rusët e akuzuar.

“I kemi futur në rreth. Ne e dimë se kush janë ata. Ka një shpërblim mbi ta dhe ne do t’i ndjekim pa pushim”, tha Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Matthew Olsen.

/a.r

Read Entire Article