Gjykata e Apelit ka dënuar me nga 18 vite burg secilin, Viktor Omerin dhe mikun e tij, të cilët akuzohen për vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake.
Viktor Omeri dhe miku i tij akuzohen për vrasjen e Kleo Gërdhuqit në vitin 2007-të.
“F.T dhe V.O janë dënuar lidhur me me ngjarjen e ndodhur më datë 09.08.2007, ku në afërsi të stanit të tij, në vendin e quajtur “Mocale”, në fshatin Bestrov të rrethit Vlorë, është gjetur i vrarë me armë zjarri shtetasi me iniciale K. G”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Në përfundim të gjykimit, më datë 24.07.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare z. Genti Dokollari dhe anëtare znj. Irena Brahimi dhe z. Fuat Vjerdha, vendosi:
-Ndryshimin e vendimit nr. 309, datë 11.09.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, si vijon: 1. Deklarimin fajtor të të pandehurit F. T, për kryerjen e veprës penale të “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/1 dhe 25 i K. Penal dhe dënimin e tij me 17 (shtatëmbëdhjetë) vjet burgim.
2.Deklarimin fajtor të të pandehurit F. T, për kryerjen e veprës penale të “Mbajtja pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278/2 i K. Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
3.Në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 55 të K. Penal, dënimin e të pandehurit F. T me 18 (tetëmbëdhjetë) vjet burgim.
4.Deklarimin fajtor të të pandehurit V. O, për kryerjen e veprës penale të “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/1 dhe 25 i K. Penal dhe dënimin e tij me 17 (shtatëmbëdhjetë) vjet burgim.
5.Deklarimin fajtor të të pandehurit V. O, për kryerjen e veprës penale të “Mbajtja pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278/2 i K. Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
6.Në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 55 të K. Penal, dënimin e të pandehurit V. O me 18 (tetëmbëdhjetë) vjet burgim.