Policia e Shkodrës ka vënë në pranga Enton Dushaj, 39-vjeç të akuzuar si bashkëpunëtor për vrasjen e Valter Fierzës, ngjarje e ndodhur në shtator të vitit 2023.
“Në vijim të kontrolleve për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në inteligjencën policore për një shtetas në kërkim që qarkullonte me motomjet në rrugën e fshatit Dobraç, Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda të DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, organizuan punën dhe si rezultat kapën e ndaluan shtetasin E. D., 39 vjeç, banues në Shkodër.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka caktuar ndaj 39 vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Moskallzimi i krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 21.09.2023, në fshatin Hot i Ri, ku është vrarë me armë zjarri shtetasi V.F”, njoftoi policia.
Sherri për parkimin dyshohet se ka qenë shkak i vrasjes së 33-vjeçarit Valter Fierza.
I gjithë konflikti nisi mes vëllait të viktimës Kolë Fierza dhe autorit të dyshuar të vrasjes. Debati nisi në një lokal afër banesave lidhur me parkimin duke pretenduar se është bllokuar rruga.
Rreth një orë pas këtij debati, konflikti ka vijuar mes viktimës Valter Fierza dhe autorit të dyshuar Klodian Mhilli. Pas debatit autori, që është edhe fqinj, me 33-vjeçarin ka marrë armën dhe e ka qëlluar duke e lënë të vdekur në vend./vizionplus.tv