Kreu i qeverisë Edi Rama gjatë Konferencës së Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”, e cila do të zhvillohet përgjatë datave 26-28 gusht tha se Shqipëria i ka idetë e qarta. Viti 2030 duhet të na gjejë të ulur në tryezën e BE-së si anëtarë me të drejta të plota.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë theksoi se emri i Shqipërisë tingëllon ndryshe kur përmendet në korridoret e politkës ndërkombëtare dhe kjo për shkak të një transformimi historik që ka pësuar vendi ynë.
Rama: Është e rëndësishme që ne të ruhemi nga humbja e sensit të përmasës sonë që në të shkuarën ka çuar në situata të padëshirueshme të shoqëruana me daullet e nacionalizmit folklorik dhe i ka kushtuar Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, por nga ana tjetër të ruhemi edhe nga kompleksi i inferioritetit për shkak të kësaj përmase. Nuk kemi asnjë arsye as për të parën as për të dytën. Për tu rritur dhe për tu fuqizuar dhe për të vazhduar të ushqejmë respekt, besim dhe të rrisim besimin tonë ne duhet të flasim me qartësi dhe me respket me aleatët dhe miqtë tonë, por të pretendojmë të njëjtën qartësi dhe të njëjtin respekt nga aleatët dhe miqtë tanë. Kjo është shumë e rëndësishme dhe është një nga arsyet që na ka ndihmuar të jemi në një pozicion tjetër. Kur flitet për Shqipërinë nuk flitet për një vend në hijë apo me hije dhe kur Shqipëria përmendet në korridoret e politikës ndërkombëtare është shumë e qartë që ka një tjetër tingull emri i saj. E dimë shumë mirë që 2030 duhet të na gjejë anëtarë të BE-së. Kjo është detyra jonë.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po zhvillon Konferencën e Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”, e cila do të zgjasë për tre ditë, 26-28 gusht.
Ministri i Jashtëm, Igli Hasani njoftoi dje (25 gusht) se konferenca e ambasadorëve “Tirana Diplo 2024” do të ketë në fokus sfidat e diplomacisë shqiptare në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, zhvillimet rajonale dhe të sigurisë, diplomacinë ekonomike, kulturore dhe turizmin./vizionplus.tv