Rajmonda Nika, gruaja e Aleks Nikës, një nga 4 protestuesit e vrarë në protestën e 21 janarit, është paraqitur këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Ajo ishte e shoqëruar nga xhaxhai i të ndjerit, Mark Nika, ku të dy kanë dëshmuar në SPAK në lidhje me dosjen e 21 janarit.
Fillimisht në pyejte rreth orës 10 është marrë e veja e të vrarit, ndërsa rreth orës 12 ka nisur dëshmia e xhaxhit të viktimës.
Rajmonda Nika ishte ajo që fitoi betejën në Strasburg ku Gjykata Ndërkombëtare e konsideroi si vrasje shtetërore dhe u shpreh për mungesën e hetimeve në Shqipëri përgjatë këtyre viteve.
Më pas ishte Gjykata e Lartë ajo që urdhëroi SPAK-un të hetonte dosjen dhe jo Prokuroria e Tiranës.
Familjarët e Aleks Nikës pretendojnë se kanë një kasetë ku duket qartë se urdhri për të qëlluar drejt turmës është dhënë nga Ndrea Prendi pas komunikimit me ish-kryeministrin Sali Berisha.
Ata janë shprehur që këtë kasetë do ta dorëzojnë vetë në SPAK me shpresën për të vendosur drejtësi.
Familjarët e Aleks Nikës akuzojnë drejtpërdrejt Sali Berishën, Lulzim Bashën si ish-ministri i Brendshëm si dhe drejtuesit e Gardës asokohe për vrasjen e të riut, vrasje që deri tani ka mbetur pa autor.
SPAK ka nisur hetimet për tre vepra penale, vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim, shpërdorim detyre si dhe kryerja e veprimeve që pengojnë zbatimin e së vërtetës./vizionplus.tv