Policia e Tiranës njoftoi sot për kapjen e një arsenali armësh në një banesë në kryeqytet, ndërkohë që është shpallur në kërkim poseduesi i tyre.
Mes armëve të kapura bie në sy një automatik tip MP40, i cili daton që prej Luftës së Dytë Botërore.
Ky lloj automatiku (MP-Maschinenpistole 40), i cili përdor municion të ngjashëm me atë të pistoletave, është prodhuar për herë të parë rreth viteve 1939-1940 nga Gjermania Naziste dhe përdorej kryesisht nga njësitë elitë të ushtrise naziste në Europë.
Arma është pasardhëse e modelit MP-38, dhe nisi të prodhohej masivisht fill pasi Gjermania naziste filloi të pushtonte Europën.
MP-38, MP-40, bashkë me pushkën “Mauser” ishin armët e lehta kryesore që përdoreshin nga këmbësoria e nazistëve. Më pas, në vitin 1943 nazistët nisën edhe prodhimin e automatikut StG-44, atij që konsiderohet si paraardhësi i “AK-47”, por fati i luftës ishte vendosur dhe nuk pati ndonjë ndikim të konsiderueshëm në front.
Si erdhën në Shqipëri ?
Ushtria shqiptare trashëgoi një sasi arsenali ushtarak nga Lufta e Dytë Botërore nga ushtri pushtuese si Italia fashiste dhe Gjermania naziste.
Por ky ishte një arsenal i vogël, pjesa më e madhe e këtyre armëve erdhën nga Bashkimi Sovjetik, të kapura masivisht pas dorëzimit të ushtrisë naziste në Frontin e Lindjes.
Pas futjes në përdorim të armëve nga Blloku Lindor, armët e trashëguara nga Lufta e Dytë Botërore u kaluan nëpër depo duke ridalë në skenë gjatë trazirave të vitit 1997. /vizionplus.tv