Policia italiane ka zbuluar një laborator droge në një apartament në Lentate sul Seveso, në Brianza.
Sipas policisë, gjatë kontrollit u gjetën furrat me mikrovalë, ventilatorë, lëndë prerëse, tretës, presa hidraulike dhe kallëpe. Gjithçka e nevojshme për të transformuar blloqet e kokainës në doza për shitje me pakicë.
Laboratori klandestin u zbulua të hënën më 15 korrik nga detektivët e antidrogës. Në pranga ranë tre shqiptarë të moshës 30, 41 dhe 51 vjeç, dy të fundit rezultuan me precedentë penale për drogë.
Në shtëpi u gjetën edhe dy pistoleta, një me numër serie të gërvishtur dhe një e vjedhur tetë muaj më parë në provincën e Cuneos.
Hetimi
Ditët e fundit, pas një sërë hetimesh, policët “ fiksuan” makinën tip Fiat që drejtohej nga 30-vjeçari shqiptar dhe nisën ta ndiqnin, duke hedhur hipotezën se personi ishte i përfshirë në veprimtari të paligjshme.
Gjatë ndjekes, oficerët vunë re se burri shkonte shpesh në banesën e Lentate. Të hënën pasdite, rreth orës 16:00, shqiptari u ndalua nga policia për kontroll. Kur e pyetën lidhur me vendbanimin e tij, ai i tha policëve një tjetër adresë, jo atë të Lentates.
Megjithatë, policët e shoqëruan në godinën në Lentate, ku gjetën dy shqiptarët e tjerë, të dy me dosje në polici.
Aty u gjet laboratori i kokainës, me gjithçka që duhej për të “përpunuar” drogën dhe maskat e gazit për të shmangur thithjen e tymrave.
Të tre u arrestuan dhe u dërguan në burg, në pritje të seancës së vlefshmërisë./vizionplus.tv