Mat/Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Weapons”.
Sekuestrohen arsenal armësh (kallashnikov, armë gjuetie, armë zjarri pistoletë, municion luftarak) dhe 2 kapuça në formë maske.
Arrestohet në flagrancë 21-vjeçari që kishte fshehur arsenalin e armëve, në banesën e tij, në fshatin Karicë.
Nis procedimi penal edhe për babain e 21-vjeçarit.
Strukturat hetimore dhe operacionale të DVP Dibër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Weapons”, për goditjen e një tjetër rasti në këtë fushë.
Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një 21-vjeçar që posedonte pa leje, në banesën e tij, armë zjarri dhe municion luftarak, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë në këtë banesë dhe si rezultat kanë gjetur të fshehura: 1 kallashnikov, 3 armë gjuetie, 1 armë zjarri pistoletë, 114 fishekë dhe 2 kapuça në formë maske, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi R. R., 21 vjeç, banues në fshatin Karicë, njësia administrative Baz.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për babain e 21-vjeçarit, shtetasin H. R., 56 vjeç.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Top Channel