Nga Ylli Pata
Dje pati një polemikë paksa indirekte brenda partisë së Sali Berishës. Ku me të drejtë deputeti Luan Baçi, nuk e ka pritur mirë dërgimin si të plotfuqishëm të Gaz Bardhit në Fier.
Luan Baçi, është një nga mbështetësit më të zjarrtë të Sali Berishës, në një qark që nuk ka qenë asnjëherë pro PD. Sidomos me përplasjen me klanin e Mallakastrës, që ka qenë gjithmonë pranë Alibeajt dhe Kapllanajt, mbajtja e një grupi të qëndrueshëm militantësh ka qenë stres më vete për Baçin. Por vjen një ditë dhe kupola, dmth Berisha, Noka, dhe Gaz Bardhi caktojnë këtë të fundit si të dërguar në qarkun më të madh në vend pas Tiranës.
Një lëvizje e pashpjeguar. Është ndryshe PS që është parti në pushtet, e cila mund të lëvizjë deputetët pasi në fund ata përfaqësojnë politikën e mazhorancës, e ndryshe një opozitë, e cila krijon në territor aksione politike krejt të palidhur nga interesa apo logjika qeveritare.
Mjaftojnë vetëm organizimet e mitingjeve e protestave që ka organizuar Luan Baçi në Fier, për të kuptuar se është krejt normale revolta e tij dhe e drejta për ta përfaqësuar një territor që e ka menaxhuar dhe që jeton aty.
Ç’punë ka Gaz Bardhi në Fier? Ai është nga Kavaja, politikisht ka përfaqësuar në zgjedhjet e shkuara Elbasanin, ku ka qenë shef i qarkut, e ku ndodhi tmerri, ndërkohë që sot është numri dy i partisë së Sali Berishës. Logjika e thotë, që në mos në Kavajë e Elbasan, si lider Gaz Bardhi mund të jetë në Tiranë, madje edhe drejtues i qarkut.
Dërgimi në Fier, mund të mos jetë një zgjedhje përfundimtare, por në fakt ka trazuar situatën atje. Por ky aspekt është një çështje e brendshme partiake. Nëse shikon hartën e shpërndarjes së të deputetëve, kemi Luciano Boçin në Shkodër, Bardhin në Fier, Saljanjin në Elbasan, ndërkohë që në qarqet e tjera; Gjekmarkaj është në Lezhë, Flamur Hoxha në Kukës, Xhelal Mziu në Dibër, Bujar Leskaj në Vlorë e Tritan Shehu në Gjirokastër.
Kjo ndarje tregon në mënyrë të qartë se si i ka menduar Sali Berisha ndarjen në qarqe, e siç me të drejtë e tha Dashnor Sula, të vetmit që kanë të sigurtë kandidimin në qarqet përkatse janë Leskaj, Shehi, Gjekmarkaj e Flamur Hoxha, të cilët janë në qarqet ku kanë dalë deputetë edhe në 2021.
Përveç gallatës e batutave, thelbi i kësaj ndarje tregon realisht problemin e opozitës, e cila nuk ka referencë në territor. Madje edhe aty ku e ka si në rastin e Luan Baçit, vendoset dublimi.Pse e bën këtë Sali Berisha? Ikja e Gaz Bardhit në Fier, së paku mund të ketë vështirësi në strukturat që ka krijuar Luan Baçi, çka mund të sjellë një ulje të motivimit e rezultat më të dobët. Gjithashtu në Shkodër, Luçiano Boçi nuk do të ketë as motivim për të sjellë një rezultat pozitiv siç e kërkon në Elbasan ku jeton dhe ka kandiduar, apo edhe Saljanji, që ka fituar në Kavajë zgjedhjet e shkuara, e sot çohet në vendin ku dështoi Luçiano Boçi.
I gjithë ky lëmsh shkon natyrshëm tek një përfundim; ai që e ka ideuar nuk mendon për të rritur votat, por mendjen e ka diku tjetër. Që mund të jetë menaxhimi i istuatës postzgjedhje. Natyrisht diskutimet mund të vijojnë pambarim, oër të gjithë duken si rrahje në havan apo petulla me ujë, e kështu e medojnë edhe strukturat e PD-së në bazë, që sipas të gjitha gjasave nuk kanë menduar as në mankthin më të rëndë këtë ndarje. Berisha duket ka në mendje atë që deklaroi në lidhjen direkte me grupin parlamentar sot; kontestimin e zgjedhjeve të 2025-s. Ndaj nuk ka menduar jo për listë fitimtare, po as optimale deputetësh…