Greqia mbyll Akropolin, shkak temperaturat e larta

3 months ago 30

Ministria e Kulturës në Greqi urdhëroi mbylljen e Akropolit të mërkurën, kompleksit antik në Athinë, për disa orë në mes të ditës, ndërsa autoritetet paralajmëruan për mot ekstrem në pjesën më të madhe të vendit. Vendimi vjen ndërsa pjesa jugore e Evropës është goditur nga një valë nxehtësie që shkaktoi rritjen e temperaturave.

Meteorologët paralajmëruan se temperaturat e larta do të vazhdojnë edhe për disa ditë të tjera, të paktën deri të dielën, ndërsa sot dhe nesër pritet që temperaturat të arrijnë deri në 43 gradë Celsius.

Akropoli është një pikë e njohur turistike në kryeqytetin grek. Ndërkohë zyrtarët u bënë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në mjedise të mbyllura me ajër të kondicionuar, të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, si dhe të pijnë ujë rregullisht.

Turistët që shpresonin të vizitonin tempullin e Partenonit në majë të Akropolit, shkuan në mëngjes për të shmangur të nxehtin, ndërsa organizata e Kryqit të Kuq dhuronte shishe me ujë dhe fletushka me informacione për njerëzit që prisnin në radhë.

“Erdha para 10 minutash, por është shumë nxehtë. Mjaftuan 10 minuta që ta ndjej atë”, thotë Jordan Lilley turist nga Britania.

Nxehtësia dhe thatësirat kanë shkaktuar zjarre në disa zona, përfshirë një zjarr të fuqishëm në pyjet e Korinthit, në jug të Greqisë. /voa

Read Entire Article