Hapet gara për portin tregtar, Rama: Porto Romano forcon rolin strategjik të Shqipërisë në mesdhe

3 months ago 24

Hapet gara për ndërtimin e portit të ri tregtar të Porto Romanos në Durrës. Ajo do të jetë ndërkombëtare. Pa nisur zyrtarisht kryeministri Edi Rama tha se kanë shfaqur interes 15 kompani të huaja mes të cilave edhe pesë më të njohurat në fushën e ndërtimit të porteve në Evropë dhe përtej saj.

Në nisje të garës kërkesa e Edi Ramës për kompaninë holandeze “Royal Haskoning” e ngarkuara për të ndjekur gjithë procesin nga përzgjedhja e fituesit deri te zbatimi në terren i projektit ishte:

“Historia e zhvillimit të porteve që ne e kemi mësuar për shkak të detyrës ka treguar që nëse këto kompani “gjejnë shesh”, “bëjnë një përshesh” aq të madh sa atë shumën në fillim të tenderit ta çojnë dyfish, trefish, katërfish pa asnjë problem nëse ti nuk ke peshkatarë peshkaqenësh në tokë. Royal Haskoningna ka sjellë fiks peshkatarin e duhur për t’i mbajtur peshkaqenët brenda rrethit të rregullave dhe të parashikimeve. Harrojeni peshkaqenin, atë shkoni bëjeni në ndonjë vend tjetër jashtë Europës ku ka plot porte që ndërtohen”.

Qeveria thotë se porti i ri tregtar shumëfish më i madh nga i vjetri për nga kapacitetet pritëse dhe përpunuese të mallrave do të rrisë në 3 për qind të ardhurat në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar dhe po aq rolin strategjik të Shqipërisë në Mesdhe.

“Do të jetë një port që do të impaktojë sigurinë tonë, sepse do të ketë edhe krahun e vet ushtarak, duke i ofruar NATO-s një bazë të re ushtarake, jo thjesht të re në kuptimin një tjetër bazë në Mesdhe në numër, por një bazë të re ushtarake me parametra optimalë. Ky port i jep Shqipërisë një fuqi të re në rajon, ky port e bën Shqipërinë një pikë kyçe strategjike për tregtinë dhe për sigurinë e gjithë rajonit. Ky port që do të lidhë në vijim tregtinë me pjesën tjetër të rajonit dhe më gjerë përmes hekurudhave që do të ndërtojmë dhe përmes dy porteve të thata që do të ndërtohen në Prishtinë dhe në Strugë praktikisht do të orientojë shumë flukse tregtare dhe shkëmbimesh që deri më sot janë jashtë rrezes sonë të influencës.”

Dhe jo vetëm kaq. Edi Rama është besimplotë se me portin e ri tregtar në Porto Romano do t’i jepet goditje edhe aktivitetit kriminal kryesisht atij të trafikut të kokainës.

“Një port që është një plagë që ka bërë në vazhdimësi dëm të madh për perspektivën dhe imazhin, por edhe një plagë në aspektin socio-ekonomik sepse e dimë shumë që gjithë ajo rrëmujë dhe gjithë ai kaos për shumë e shumë vite ka qenë edhe një zonë e errët e veprimtareve të paligjshme dhe kriminale”.

Projekti i ri parashikon një port dyfish më të thellë, një terminal kontenierësh të automatizuar tre herë më të madh dhe një sipërfaqe të zgjeruar të dedikuar për entet tregtare që do të ndërveprojnë me të./vizionplus.tv

Read Entire Article