Sinjalet që po vijnë nga tregu i pasurive të patundshme tregojnë se gjatë këtij viti 2024, ka një hezitim të shitblerjes së pronave. Shkak për këtë situatë duket se janë hetimet e strukturës antikorrupsin, SPAK. Gjin Gjoka, anëtarë i dhomës së biznesit të diasporës i ftuar në emisionin “E-ZONE”, tha se në kontaktet me shqiptarët në vende të ndryshme, një nga shqetësimet që merr lidhet me “frikën” e SPAK.
“Unë flas më shumë emigrantë. Ka shumë interes që shumë prej tyre të vijnë të investojë, por edhe të kthehen. Por së fundmi pyetja që po na behët më shpesh lidhet me hetimet e SPAK. Një pjesë e tyre janë të stepur për të investuar ose kërkojnë shumë siguri. I bej thirrje dhe i them se SPAK nuk ka lidhje me investimet e emigrantëve, por vetëm me ata zyrtarët që kanë abuzuar”, tha Gjin Gjoka në Vizion Plus.
I të njëjtin mendim është edhe eksperti i këtij tregu Eglent Bici.
“Unë mendoj se deri diku hetimet e SPAK kanë patur efekt që këto muaj të parë të vitit të mos kenë bumin e viteve të tjera. Ka një stanjacion në këto muaj”, tha Bici në “E-ZONE”.
Frika nga hetimet e SPAK ka prekur edhe buxhetin e shtetit. Më herë Blendi Gonxhja deklaroi se drejtues apo përgjegjës në nivele më të ulëta hezitojnë të firmosin procedura apo kontrata. /vizionplus.tv