Homazhe për Qazim Sejdinin në Elbasan, qindra qytetarë, miq e politikanë i japin lamtumirën e fundit

3 months ago 20
Reklamë

Këtë të enjte (13 qershor) janë mbajtur homazhet për ish kryetarin e bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili u nda nga jeta një ditë më parë, pas një sëmundje të rëndë.

Homazhet nisën në orën 10.00 në teatrin Skampa ku familjarë, miq, qytetarët, kolegë e politikanë  i kanë dhënë lamtumirën e fundit ish kryebashkiakut Qazim Sejdini.

Ngushëllime dhe homazhe në nder të Qazim Sejdinit bëri dhe deputeti i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri i cili u shpreh se ish krye bashkiaku i Elbasanit i ka dhënë shumë qytetit të tij. Gjiknuri tha gjithashtu se Sejdini nuk bënte asnjëherë dallime me qytetarët pavarësisht bindjeve politike.

Sot është një ditë e trashtë për Elbasanin, për ne si Parti Socialiste dhe për mua personalisht për ndarjen nga jeta të mikut tonë Qazim, një njeri që i ka dhënë shumë këtij qyteti, kësaj shoqërie, kësaj partie dhe të gjithë i dedikojmë diçka të jetës tonë dhe suksesit tonë këtij njeriu. Nuk më mbetet gjë tjetër ti uroj të gjithë të dashurve të tij të kenë jetë të lumtur, ta përcjellin Qazimin tonë të dashur në atë Botë. Qazimi do të mbahet mend si njeriu i urtë, shtëpia e të gjithëve që i kapi të gjithë qytetarët e këtij qyteti pa dallime politike. Ka qenë karakteristike e qytetit të Elbasanit. Ai do të mbahet mend për shumë të mira që karakterizohej”, u shpreh Gjiknuri.

Pas homazheve të kryera, deputetja socialiste Evis Kushi u shpreh se  ish krye bashkiaku i ndjerë do të kujtohet gjatë për kontributin e dhënë dhe për zhvillimin që i dha qytetit të Elbasanit. Ajo theksoi se ish krye bashkiaku do të kujtohet gjatë nga qytetarët si një njeri i mençur dhe i urtë, me nderim dhe respekt.

Sejdini do të kujtohet gjatë për të gjithë kontributin, për të gjitha veprat që la pas, për zhvillimin e qytetit. Ishte miku i të gjithëve, të gjithë qytetarëve njeri u mençur, njeri i urtë. Nuk kam fjalë për atë që ka lënë pas për gjurmët që ka lënë dhe që do të kujtohet gjithmonë nga miqtë nga qytetarët dhe jo vetëm në qytetin e Elbasanit por edhe me gjerë se sa kaq. Mirënjohje, respekt, nderim”, u shpreh Kushi.

Pas homazheve të kryera, ministri i Brendshëm Taulant Balla e cilësoi ish kryebashkiakun e ndjerë si një shembull që duhet ndjekur pasi punonte në të mirë të qytetit përtej ndasive politike.

“Jam i prekur nga ky largim i parakohshëm i një miku të mirë si Qazim Sejdini. Kemi punuar gjatë bashkë në dobi të zhvillimit të Elbasanit. Ai kishte qetësi, dashuri për Elbasani dhe ka bërë gjithçka ka mundur në zhvillimin e qytetit. Qazimi punonte çdo ditë në të mirë të qytetit përtej ndasive politike dhe besoj që këtë duhet ta vlerësojnë të gjithë. Elbasani ka humbur një kryetar bashkie që ka shkruar një pjesë të rëndësishme të këtij qyteti”, tha Balla.

Ngushëllime dhe homazhet në nder të Qazim Sejdinit zhvilluan edhe kolegët e tij të Partisë Socialsite.

“Qazimi do të mbahet mend gjatë në Elbasan, pasi punët e tij janë konkrete në të gjithë qytetin. Ishte një qytetar model dhe një politikan që ka bërë shumë lufta dhe do të mbetet i paharruar për miqtëë e tij”, tha kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja.

“Ngushëllime familjes. Qazimi ka qenë aty kur shumë prej nesh ishin fillestar në politikë. Kujtoj gjithmonë me shumë dashuri të gjithë humorin e tij dhe si na lehtësonte sfidat. Do e kujtoj gjithmonë për dashurinë dhe zemrën e bardhë”, tha kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Për 2 orë në teatrin Skampa me qindra qytetarë e miq kryen homazhet dhe u shprehën ngushëllimet familjarëve, të cilët më pas e përcollën ish kryebashkiakun Qazim Sejdini për në banesën e fundit.

Qazim Sejdini u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare dhe drejtoi Bashkinë e Elbasanit për 3 mandate nga viti 2007 deri në vitin 2019 nën siglën e Partisë Socialiste./m.j

Read Entire Article