Inflacioni arrin në 1.9%, niveli më i ulët në 3 vite, ushqimet mbeten të shtrenjta

2 hours ago 30

Inflacioni në Shqipëri ka prekur në nivelin më të ulët të 3 viteve të fundit. Treguesi i ndryshimit për muajin tetor vlerësohet në 1.9% sipas Institutit të Statistikave.

Pavarësisht se treguesi në total shënon ulje krahasuar me të shkuarën, ushqimet vazhdojnë të shtrenjtohen, edhe pse në një nivel më të ulët se të disa viteve më parë.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u shtrenjtuan me 8,3 %, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 4,0 %, “mish” me 3,9 %, por pas nuk mbetën as “qumësht, djathë dhe vezë” ëmbëlsira etj.

Në rritjen e çmimeve ndonëse më të ulët se një vit më parë, ndikoi edhe grupi “qira ujë lëndë djegëse” si pasojë edhe e fillimit të universiteteve me 0.23%. I pasuar më tej nga mobilie e pajisje shtëpiake, pije alkoolike e duhan dhe argëtime kulturë.

Hotelet, baret dhe restorantet patën dhe ndikimin më të ulët në rritjen e çmimeve si pasojë edhe e rënies së numrit të turistëve gjatë kësaj periudhe.

Pozitivisht në rënien e inflacionit prej muajsh me radhë vijon të ndikojë grupi i karburanteve.

Inflacioni do të jetë një nga treguesit bazë në skemën e pensioneve por dhe indeksimin e pagave në vitin 2026. Një inflacion në këto nivele, veç konsumatorëve është lajm i mirë edhe për ata që kanë kredi në banka.

/a.r

Read Entire Article