Zona e parë e Lirë Ekonomike në Shqipëri, po merr formën e saj përfundimtare. Gjatë inspektimit të punimeve për rrugën që të çon në këtë zonë, Erion Veliaj nënvizoi se ky do të jetë një investim për bizneset.
“Këtu ndodhemi në zonën mes Kasharit, Vaqarrit dhe autostradës Tiranë-Durrës, që do të thotë se ata që do të përfitojnë më shumë janë qytetarët e lagjes “Rilindja” [ish Astiri], lagjet e Kombinatit dhe lagjet e Kasharit dhe Vorës. Kjo është zona më e madhe industriale-ekonomike në Shqipëri, e menaxhuar nga një ent publik, si Bashkia e Tiranës, që e çon nivelin e qeverisjes vendore në një dimension tjetër”, tha Veliaj.
Veliaj ftoi bizneset të bëhen pjesë e kësaj sipërmarrje, e cila garanton të punësojë 5 mijë banorë të zonës.
“Këtu bëhet fjalë për punët digjitale, data center, ose për punë automotive. Ne ndoshta nuk do prodhojmë makina të shtrenjtë, por pjesë të caktuara për to mund të prodhohen këtu, me punë që paguajnë rroga shumë më të mira se punët e tekstilit ose të këpucëve. Po targetojmë këto lloj biznesesh, ndaj nëse jeni pjesë e kësaj kategorie, ose nëse njihni biznese nga Japonia deri në Amerikë, që duan të transferohen këtu, do të përfitojnë disa incentiva”, tha Veliaj.
Sipas kryebashkiakut, gjatë verës do të nisë faza e dytë e punimeve, ku do të ndahen parcelat për secilin prej bizneseve./vizionplus.tv