Izraeli shton bombardimet në Rafah

5 months ago 20

Pa asnjë shenjë përparimi në përpjekjet e ndërmjetësuesve për të arritur një armëpushim në luftën e Gazës, forcat izraelite goditën qytetin Rafah nga ajri dhe toka gjatë natës, ndërsa tanket u vunë në lëvizje drejt perëndimit të qytetit, thanë banorët e Gazës.

Po ashtu u raportuan përleshje të ashpra midis trupave izraelite dhe luftëtarëve palestinezë të udhëhequr nga Hamasi.

Banorët thanë se tanket që kanë marrë kontrollin përgjatë kufirit me Egjiptin, kryen disa sulme drejt perëndimit dhe qendrës së qytetit jugor, duke plagosur disa banorë të cilët ishin bllokuar brenda shtëpive të tyre dhe u kapën në befasi.

Unë mendoj se forcat pushtuese po përpiqen të arrijnë në zonën e plazhit të qytetit Rafah. Goditjet gjatë natës ishin taktike. Ata hynë nën zjarr të fortë përpara se të tërhiqeshin“, tha një banor palestinez.

“Ishte një nga netët më të rënda. Disa veta u plagosën brenda shtëpive të tyre, përpara se të evakuoheshin këtë mëngjes“, i tha ai agjencisë së lajmeve Reuters.

Forcat izraelite kanë operuar gjithashtu brenda kampit Al-Bureij në Rripin qendror të Gazës, ndërsa mbajtën dy kampe të tjera dhe një qytet aty pranë nën bombardime të rënda nga avionët dhe tanket, duke vrarë dhe plagosur disa palestinezë, thanë mjekët.

Krahët e armatosur të Hamasit, Xhihadi Islamik dhe grupe të tjera më të vogla, raportuan se luftëtarët e tyre kryen sulme kundër forcave pushtuese izraelite në disa zona në qendër dhe në jug të enklavës.

Ndërmjetësuesit nga Katari dhe Egjipti, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, kanë shtuar përpjekjet për të arritur një marrëveshje armëpushimi, që do t’u jepte fund armiqësive, do të siguronte lirimin e pengjeve izraelitë dhe një numri palestinezësh të burgosur nga Izraeli, por burime të afërta me bisedimet thanë se nuk kishte shenja të një përparimi.

Që nga një armëpushim i shkurtër njëjavor në nëntor, të gjitha përpjekjet për të siguruar një armëpushim kanë dështuar, me Hamasin që ngulë këmbë në kërkesën e tij për një përfundim të përhershëm të konfliktit. Izraeli thotë se është i përgatitur të diskutojë vetëm për pauza të përkohshme derisa grupi militant të mposhtet.

Ne kemi treguar të gjithë gatishmërinë e nevojshme për të arritur një marrëveshje, por okupatorët izraelitë vazhdojnë të refuzojnë çdo angazhim për t’i dhënë fund agresionit dhe tërheqjen e forcave nga Rripi i Gazës“, tha një zyrtar i Hamasit për agjencinë Reuters.

“Okupatorët dhe amerikanët janë fajtorë për mungesën e një marrëveshjeje deri më tani, sepse ata nuk duan që kjo luftë ndaj popullit tonë të përfundojë”, tha ai.

Hamasi e përshkallëzoi luftën me sulmin e 7 tetorit të vitit të kaluar në territorin izraelit, me ç’rast vrau rreth 1200 njerëz dhe kapi më shumë se 250 pengje, sipas të dhënave izraelite. Rreth gjysma e pengjeve u liruan në armëpushimin e nëntorit.

Sulmi ushtarak i Izraelit në Gaza ka lënë pas vetes më shumë se 36,000 të vrarë, sipas zyrtarëve shëndetësorë në territor, të cilët thonë se mijëra të tjerë dyshohet se janë varrosur nën rrënoja.

Zyrtarët amerikanë dhe izraelitë i kanë thënë agjencisë Reuters se gjysma e forcave të Hamasit janë vrarë në konflikt. Hamasi nuk zbulon numrin e viktimave nga radhët e luftëtarëve të tij dhe disa zyrtarë thonë se Izraeli i ka fryrë shifrat. Numri i ushtarakëve të vrarë të Izraelit është pothuajse 300./voa

Read Entire Article