Kaos dhe terror në Bangladesh, dhjetëra të vrarë, protestuesit i vënë flakën televizionit publik

3 months ago 22

Protestuesit i kanë vënë zjarrin selisë së rrjetit televiziv publik BTV në Bangladesh dhe”shumë njerëz janë bllokuar brenda, siç raportohet nga mediat vendase.

“Zjarr katastrofik në BTV. Po zgjerohet me shpejtësi. Presim ndihmën e zjarrfikësve. Shumë njerëz janë të bllokuar brenda”, tha BTV.

Të paktën tridhjetë e dy persona janë vrarë deri më tani në Bangladesh pas tre ditësh protesta të dhunshme kundër sistemit të rekrutimit në sektorin publik.

Kryeministri Sheikh Hasina dënoi dje në një fjalim televiziv vrasje e protestuesve dhe u zotua se përgjegjësit do të dënohen pavarësisht nga përkatësia e tyre politike.

Por Studentët Kundër Diskriminimit, grupi kryesor që qëndron pas protestave, i quajti komentet “të pasinqerta” dhe u kërkoi mbështetësve të vazhdonin demonstratat.

Përleshje të reja shpërthyen në disa qytete ndërsa policia zmbrapsi protestuesit, të cilët nisën një sërë bllokadash të rrugëve dhe autostradave.

Prej javësh, studentët kanë protestuar pothuajse çdo ditë, duke kërkuar që qeveria të heqë dorë nga sistemi i kuotave për rekrutimet dhe të miratojë një sistem të bazuar në merita. Sipas sistemit aktual, më shumë se gjysma e pozitave të mirëpaguara dhe të kërkuara në sektorin publik plotësohen nga disa kategori të popullsisë, të cilat studentët i konsiderojnë diskriminuese. Kështu, 30% e vendeve mbulohen nga fëmijët e atyre që luftuan për pavarësinë e Bangladeshit në vitin 1971, 10% nga gratë dhe 10% nga qytetarët e zonave të veçanta.

Studentët pranojnë të ruajnë vetëm kuotat për pakicat kombëtare dhe personat me nevoja të veçanta (6% e vendeve). Ata besojnë se sistemi aktual favorizon fëmijët e mbështetësve të kryeministrit Sheikh Hasina, i cili ka qeverisur që nga viti 2009./vizionplus.tv

Read Entire Article