Të paktën një person u vra në protestat e reja antiqeveritare në Kenia, tha një reporter i Reuters, ndërsa policia u përplas me protestuesit që bënin thirrje për dorëheqjen e presidentit William Ruto.
Protestat e udhëhequra nga të rinjtë që shpërthyen në të gjithë vendin një muaj më parë, kundër rritjes së propozuar të taksave, vazhduan edhe pasi Ruto tërhoqi projektligjin dhe shkarkoi pothuajse të gjithë kabinetin e tij. Aktivistët thonë se duan që Ruto të largohet dhe po bëjnë thirrje për ndryshime sistematike për të çrrënjosur korrupsionin dhe për t’i dhënë fund keqeverisjes.
Të paktën 50 persona janë vrarë deri më tani në protesta, tha sot Komisioni Kombëtar i Kenias për të Drejtat e Njeriut (KNCHR).
Policia qëlloi vazhdimisht kundër qindra protestuesve, disa prej të cilëve hodhën gurë, sipas pamjeve të transmetuara nga televizioni Reuters. Protestuesit dogjën gjithashtu gomat e makinave, valëvitën flamuj kenian dhe brohoritën “Ruto duhet të largohet!”./vizionplus.tv