Marina franceze ka bërë një konfiskim rekord të më shumë se 10 tonë kokainë nga një anije peshkimi rreth 1220 kilometra larg ishullit francez të Karaibeve Martinique, njoftuan sot Forcat e Armatosura në Antile.
Anija, e cila u kap gjatë natës midis 14 dhe 15 gushtit, mbante afërsisht 300 pako që rezultuan të kishin kokainë, sqaroi i njëjti burim në një njoftim për shtyp.
“Në total, pakot e sekuestruara janë të barazvlefshme me një peshë të paprecedentë prej 10,552 kilogramë, sekuestrimi i dytë më i madh i bërë ndonjëherë nga Marina”, theksojnë Forcat e Armatosura në Antile.
Pas kontrollit, anija dhe ngarkesa e saj u dërguan në Fort de France, Martinique dhe iu dorëzuan degës së Byrosë Kundër Narkotikëve në Karaibe, e cila mori përsipër hetimet.
“Ka nisur një hetim gjyqësor me akuzat për shkelje të ligjit të drogës në kuadër të një organizate kriminale, formim bande dhe armëmbajtje”, thuhet në njoftimin për shtyp, ku saktësohet se nëntë persona, gjashtë brazilianë, dy shtetas kolumbianë dhe një shtetas venezuelian, u dërguan para një gjykatësi në Fort de France dhe u mbajtën në paraburgim. /vizionplus.tv