Policia e Himarës ka shpëtur dy turistë maqedonas që kishin mbetur të bllokuar në Gjirin e Filikurit në Himarë.
Në një njoftim për mediat, policia bën me dije se një nga turistët, ka marrë lëndime të lehta si pasojë e rrëshqitjes, por pasi mori ndihmën e parë, nuk ka shfaqur më probleme shëndetësore.
“Policia e Himarës u vjen në ndihmë dy turistëve nga Maqedonia, të cilët mbetën të bllokuar në Gjirin e Filikurit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, pas marrjes së njoftimit se dy turistë ishin bllokuar në plazhin e Filikurit dhe një prej tyre kishte rrëshqitur dhe kishte marrë dëmtime, organizuan punën për t’u ardhur në ndihmë.
Shërbimet e rendit dhe ato të plazhit pasi mbërriten në plazhin e Filikurit ndërhynë menjëherë dhe ofruan ndihmën e nevojshme, duke siguruar që turistët të nxirreshin në mënyrë të sigurt prej andej. Shtetasja e huaj, e cila kishte pësuar dëmtim të lehtë si pasojë e rrëshqitjes, mori ndihmën e parë dhe nuk ka probleme shëndetësore”, njofton policia./vizionplus.tv