Kishte kthyer lokalin në biznes lojërash fati, arrestohet në flagrancë pronari
Një person është arrestuar në Lushnje, ndërsa një tjetër është proceduar penalisht, pasi në lokalin ku ndodheshin ishte kthyer në një biznes lojërash fati.
Në pranga ka rënë pronari i lokalit D. S., 49 vjeç, banues në fshatin Rrapëz.
Njoftimi:
Lushnjë/Goditet një rast i organizimit të veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, në një lokal. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas (pronari i lokalit), procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër.
Në zbatim të masave të hartuara në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë goditën një rast të ushtrimit të veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit (baste sportive), në një lokal. Për këtë rast, këta specialistë arrestuan në flagrancë shtetasin D. S., 49 vjeç, banues në fshatin Rrapëz, Lushnjë, pronari i lokalit. Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. M., 45 vjeç, pasi u kap duke vënë baste sportive nëpërmjet celularit, në lokalin e shtetasit D. S. 3 celularë që përdoreshin për këtë veprimtari të paligjshme janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Po këta specialistë arrestuan në flagrancë shtetasin E. K., 35 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.
✅Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin M. B., 65 vjeç, banues në Mallakastër, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
✅Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin M. S., 45 vjeç, banues në Fier, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, duke kryer punime ndërtimi, në një tokë në përdorim të tij, në fshatin Mbyet.
Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. B., 38 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kohës që ka qenë i shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Fier, ka dëmtuar disa objekte.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.