Kombëtarja vijon stërvitjen për Spanjën, i gjithë grupi gati. Edhe Manaj i bashkohet shokëve

2 months ago 27
Reklamë

Kombëtarja kuqezi vijon përgatitjet në prag të ndeshjes me Spanjën. Do të jetë një ndeshje e vështirë përballë “Iberikëve” duke pasur parasysh kualitetin e tyre, por për Shqipërinë luhet një kualifikim i mundshëm në fazën tjetër.

Nga Kaiserau patëm një lidhje live me gazetarët Alban Xhihani e Glend Tafaj që kanë ndjekur hap pas hapi kuqezinjtë. Siç raportuan ata, sot u bë e qartë edhe gjendja e sulmuesit Rey Manaj, i cili dje pati stërvitje të diferencuar. Nuk bëhet fjalë për ndonjë dëmtim, por për një çlodhje të lojtarit që ndaj Kroacisë harxhoi shumë energji. Sot ai i është bashkuar pjesës tjetër të skuadrës.

“Edhe Manaj është sot me pjesën e skuadrës, sheshohet dhe kjo pjesë që do jetë 100% i gatshëm me ndeshjen ndaj Spanjës. Ngarkesa që ka patur në muskuj pas ndeshjes ndaj Kroacisë ka pasur një stërvitje të diferencuar”, tha gazetari Tafaj.

Stërvitja e fundit e kombëtares do të zhvillohet po në “bazë” ditën e nesërme rreth orës 15:00. Më pas rreth orës 18:00 kuqezinjtë do të udhëtojnë në Dyseldorf për t’u sistemuar dhe për t’u bërë gati për ndeshjen. Ky është edhe ndryshimi i vetëm në raport me ndeshjet e kaluara pasi UEFA nuk e lejon më që skuadrat të stërviten në tapetin e stadiumit ku do të luhet sfida.

Sa i përket tifozëve shqiptarë ka një interesim të shtuar për të qenë në stadium. Sipas të dhënave të gazetarëve mendohet që në arenë të jenë rreth 30 mijë tifozë shqiptarë.

/a.r

Read Entire Article