Nga: Enkelejda Mema
Më pak se një javë nga mbyllja e sesionit parlamentar socialistët dhe demokratët janë me afër se kurrë marrëveshjes për të mundësuar votën e diasporës në parlamentaret e 2025-ës.
PS dhe PD në parim kanë sheshur kundërshtinë që mbante peng realizimin e saj. Shumica socialiste hoqi dorë nga kushti i saj dhe i tha po kërkesës së opozitës që të drejten e votës nga jashtë do ta ketë çdo shqiptar, rezident apo jo, mjafton që të ketë një adresë.
“Kemi futur të gjitha kategoritë që për një arsye apo një tjetër jetojnë për një kohë të caktuar jashtë vendit, ku do të jenë edhe diplomatët, ushtarakët apo edhe persona të tjerë që jetojnë në vende të ndryshme dhe që banojnë e kanë një adresë të caktuar”, tha Gjiknuri.
“Nuk mund të ketë dy kategori shqiptarësh që janë në emigracion, ata që janë regjistruar në mënyrë të ligjshme dhe ata që janë të regjistruar në mënyrë të paligjshme. Kushdo që është jashtë Shqipërisë, për një arsye të rëndësishme, sidomos emigracioni, por ka një dokumentacion minimal dhe një adresë me të cilën mund të komunikojë në KQZ, do kenë të drejtën e votës”, tha Bylykbashi.
Ujdia në parim është arritur edhe për përllogaritjen e mandatit të deputetit. Varianti më i pëlqyer për PS dhe PD-në është sipas parashikimit kushtetues. Pra 1 e 3-ta e parë e listës të jetë e mbyllur, e pandikuar nga vota preferenciale dhe kandidatët që renditen pas saj të luftojnë për votë preferenciale.
“Dëgjuam një propozim nga ana e opozitës që ata janë të gatshëm për një kompromis që i afrohet formulës Kushtetuese, pra të një liste e cila është mikse, pra një pjesë e mbyllur siç parashikon Kushtetuta dhe pjesën tjetër listë e hapur pa pragë dhe pa herës”, shtoi Gjinkuri.
“Ne do të kërkojmë shtrirjen maksimale të votimit preferencial të zgjedhësve, pra ato që do të jenë të hapura do të linde nevoja për çdo lloj herësi frenues”, nënvizoi Bylykbashi.
Dakortësia politike tanimë do t’i kalojë ekspertëve të cilët do të duhet të përgatisin projektligjin, për ta bërë gati për votim, me gjasë në seancën e fundit parlamentare atë të 25 korrikut./vizionplus.tv