Konferenca e dytë me BE në vjeshtë, Hasani: Bashkëpunim me Greqinë për integrimin. Kosova ta diskutojë çështjen e urës edhe me Shqipërinë

2 months ago 28

Brenda vjeshtës do të mbahet Konferenca e Dytë Ndërqeveritare për Shqipërinë, një hap që afron edhe më shumë vendin tonë me Bashkimin Evropian me përmbushjen e reformave dhe detyrave të lëna.

“Po punojmë që konferencën e dytë ndërqeveritare ta zhvillojmë në fund-shtatori, fillim-tetori. Jemi gati, kemi qenë gati që para një viti. Jemi gati edhe për dy grupkapituj të tjerë. Po punohet intensivisht që pengesat politike të mos ndërhyjnë te agjenda teknike. Do të çojë shumë gjëra përpara. Jam optimist se kjo vjeshtë do të zhvillojë shumë mekanizma dhe ne do jemi gati të ecim shumë shpejt drejt BE”, deklaroi sot ministri i Jashtëm, Igli Hasani.

Lexo edhe :

Related Posts

Në rrugëtimin e saj drejt familjes evropiane, Shqipëria ka edhe mbështetjen e Greqisë fqinje, pas përplasjeve mes dy vendeve për çështjen e Fredi Belerit.

“Angazhimi ka qenë konstant për hapjen e grupkapitullit të parë. Angazhim diskret, jopublik. Jemi në rrugën e duhur sepse momente të tilla na bëjnë më të vëmendshëm për mënyrën si duhet të përgatitemi. Në historinë e dy popujve, kombeve një individ nuk mund të prishë marrëdhënien shumëshekullore. Ne vlerësojmë fqinjët tanë Italia, Greqia dhe Turqia. Të mos harrojmë sa shumë është bërë dhe ka ndodhur mes Greqisë dhe Shqipërisë. Dy popujt janë shumë afër dhe do të vazhdojnë të jenë shumë afër dhe në rrugëtimin e Shqipërisë në BE shohim edhe mbështetjen e Greqisë. Duhet të kapërcejmë çdo pengesë dhe të jemi së bashku anëtarë të be pa hije të së shkuarës”, tha Hasani.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, ministri Igli Hasani i dërgoi edhe një mesazh politik qeverisë së Kosovës për situatën e krijuar atje për hapjen e urës së Ibrit.

“Kemi qenë të qartë që për ne prioriteti i politikës së jashtme është Kosova. U kemi thënë motrave dhe vëllezërve tanë në Prishtinë që të gjithë hapat duhet t’i diskutojnë me ata që i duan shumë dhe i kanë përzemër. Duhet të arrijnë në konkluzione me vendet dhe organizatat që e kanë bërë Kosovën vend të mirë dhe të pavarur sot. Këtu hyn edhe Shqipëria. Çdo punë e mirë bëhet në marrëdhënie me ata që i ke përzemër”, theksoi ministri.

Pas përfundimit të Konferencës së Ambasadorëve të Shqipërisë “Diplo 2024”, ministri Hasani risolli në vëmendje se Tirana zyrtare po bën përgatitjet për të mirëpritur në vitin 2027 Samitin e NATO-s./vizionplus.tv

Read Entire Article